English

Ndërkombëtarët në Kosovë: Integrimi në BE kërkon reforma të thella

Prishtinë, 09 Maj, NOA - Vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian duhet të kalojnë nëpër reforma rrënjësore politike dhe ekonomike, tha sot në Prishtinë, shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Renzo Davidi. Këto komente ai i bëri në një debat të organizuar në Ditën e Evropës, ku morën pjesë edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, Renzo Davidi, tha se para integrimit në Bashkimin Evropian, vendet duhet të transformohen duke krijuar një qëndrueshmëri politike dhe ekonomike, ku do të respektohen të drejtat universale të njeriut.

“Kriteret politike kanë të bëjnë me ndërtimin e një shoqërie demokratike, në të cilën respektohen të drejtat universale të njeriut, kurse kriteret ekonomike kërkojnë krijimin e një ekonomie tregu”, tha Renzo Davidi.

Ky transformim, vijoi ai, nuk është i lehtë dhe kërkon shumë mund dhe djersë. Por, plotësimi i kritereve për integrim në BE, sipas zyrtarit evropian, nuk duhet nënkuptuar vetëm si synim për t’iu bashkuar Evropës, por edhe si qëllim i zhvillimit të brendshëm të një shteti.

“Ky është një proces që kërkon një vendosmëri të lartë politike dhe përkushtim, si nga lidershipi, ashtu edhe shoqëria e një vendi”, tha Davidi.

NOA/RFE

KOMENTE