Obama I Kërkon Merkelit Masa Të Fuqishme Lidhur Me Krizën E Borxhit Në Be
HAMPTON (SHBA), 9 maJ /ATSH-AFP/ - Presidenti amerikan Barack Obama i telefonoi sot kancelares gjermane Angela Merkel, për të dytën herë brenda tri ditëve, për t'i kërkuar masa të fuqishme nga BE-ja për qetësimin e tregjeve përballë krizës së borxhit, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
"Presidenti Barack Obama bisedoi me kancelaren Merkel sot në mëngjes në kuadrin e angazhimit të tij të vazhdueshëm në ndjekjen e situatës ekonomike në Evropë", deklaroi për gazetarët zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Bill Burton.
"Ata e cilësuan gjithashtu të rëndësishme që anëtarët e Bashkimit Evropian të marrin masa të fuqishme për rivendosjen e besimit në tregje", shtoi Burton.
Presidenti Obama i telefonoi Merkelit që nga Hamptoni, në Virxhinia, në lindje të Shteteve të Bashkuara, ku mbajti një fjalim përpara studentëve.
Ministrat evropianë të Financave janë shprehur të vendosur të mbrojnë euron sot në hapje të një mbledhjeje në Bruksel për krijimin e një Fondi mbështetës urgjent për vendet që përdorin monedhën unike, duke bërë thirrje gjithashtu për një kontribut nga Banka Qendrore Evropiane.
/I.Pu.