English

Rama:Kutia E Mbyllur E Zgjedhjeve E Pengon Shqipërinë Të Bëhet Si Gjithë Europa

TIRANË, 9 Maj/ATSH/.- Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama tha sot në protestën e opozitës të zhvilluar në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" se "kutia e mbyllur e zgjedhjeve e pengon Shqipërinë të bëhet si gjithë Europa". "Ne duam sot një Shqipëri ku shteti të jetë garanti i konkurencës dhe i punës së secilit jo punëdhënësi i atyre që i shërbejnë pushtetit. Ne duam një Shqipëri të çliruar në energjinë e vet pozitive për t'u bërë vërtet si gjithë Europa. Nuk na mungon asgjë, na pengon vetëm kutia e mbyllur e zgjedhjeve", u shpreh Rama në fjalën drejtuar pjesëmarrësve në protestë. Duke iu referuar grevës së deputetëve socialistë dhe mbështetësve të tyre, ai tha se kjo nuk është një përpjekje si të tjerat dhe se nuk ka forcë që të dalë kundër një rezistence paqësore për liri dhe demokraci. "Çadra e grevistëve është simbol i sfidës së madhe të popullit opozitar, i sfidës së madhe të atyre shqiptarëve që kanë marrë pjesë në protesta në gjithë këta muaj i sfidës së madhe të Shqipërisë që kërkon të çlirojë të vërtetën, që lirinë ta ketë të vërtetë. Sfida jonë është se ne nuk pyesim për asnjë rrezik dhe se nuk kemi frikë të kemi të drejtë", u shpreh kryetari i PS-së. Duke iu referuar kremtimit sot te 65-vjetorit të Ditës së Europës, Rama tha se "kujtesa historike për fitoren e Europës mbi fashizmin dhe projektin e madh të Europës së Bashkuar duhet të na ndihmojë për të kuptuar që në themelin e mirëqënies është kurajo, në themelin e demokracisë është lirija dhe në themel të betejës për të ardhmen është ekonomia e lirë. Kjo do na ndihmojë të kuptojmë që kjo frikë që po mbyt të vërtetën e shqiptarëve është korrupsioni që i ka rrënjët tek kutitë e mbyllura të votimit". PS dhe aleatët e saj protestuan sot paradite në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, përmes hapjes së kutive të votimit. Ky miting, që pason atë të 30 prillit, mblodhi simpatizantë të opozitës nga rrethe të ndryshme të vendit./a.s//a.gj/
KOMENTE