Rusi - Hu Jintao Dënon Në Moskë Falsifikatorët E Historisë Sovjetike
MOSKË, 9 maj /ATSH-AFP/ - Presidenti kinez Hu Xintao, i cili ndodhet për vizitë në Moskë me rastin e ceremonive përkujtimore të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kritikoi atë që ai e quajti tentativë për të rishkruar ose minimizuar kontributin sovjetik gjatë këtij konflikti.
"Kohët e fundit në botë, disa forca po përpiqen të rishkruajnë ose mohojnë kontributin e shquar të popullit sovjetik në fitoren gjatë Luftës së Dytë Botërore", deklaroi presidenti kinez gjatë një takimi me homologun rus Dmitri Medvedev, njoftojnë agjencitë ruse.
"Për sa i takon vlerësimit të historisë së Luftës së Dytë Botërore, Kina ka një qëndrim të njëjtë me atë të Rusisë", shtoi ai, duke i bërë thirrje Moskës dhe Pekinit "të mbrojnë me vendosmëri të vërtetën dhe seriozitetin e të vërtetës historike".
Rusia është mjaft e ndjeshme ndaj çështjeve historike lidhur me këtë preiudhë të dhimbshme të historisë së saj. Medvedev ka krijuar vitin e kaluar një komision të posaçëm për të penguar "tentativat e falsifikatorëve të Historisë", në dëm të interesave të Rusisë.
Moska kritikon vazhdimisht qëndrimin e shteteve baltike që shprehen se kanë qenë të pushtuara nga ushtria sovjetike dhe jo të çliruara. Disa heronj kombëtarë dhe disidentë antikomunistë ukrainas konsiderohen gjithashtu nga rusët si bashkëpunëtorë nazistë.
/I.Pu.