Rusi - Përfundon Parada Më E Madhe Për Fitoren Kundër Nazizmit
MOSKË, 9 maj /ATSH/ - Rusia zhvilloi sot paradën më të rëndësishme dhe më të madhe, që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, për fitoren kundër nazizmit, që përkon sot me 65 vjetorin e saj.
Qindra ushtarë, ndër të cilët trupa amerikane, britanike, franceze dhe polake parakaluan sot në Sheshin e Kuq të shoqëruar nga kolona të gjata tankesh, kamionësh dhe raketash, helikopterësh dhe avionësh, ndërsa në sfond dëgjohej oshtima e "urra-ve" dhe tingujve të bandave ushtarake që përshëndetën mijëra veteranët e luftës.
Ndër të ftuarit e shquar, spikatej e vetmja grua e pranishme, kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila praninë e saj e shfrytëzoi edhe për të diskutuar me kryeministrin rus Vladimir Putin.
Liderë të tjerë të Bashkimit Evropian, ndër të cilët kryeministri italian Silvio Berluskoni dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy u detyruan të anulonin pjesëmarrjen e tyre në minutat e fundit për shkak të angazhimeve për çështjen e vështirë ekonomike të BE-së. Në paradë mungoi edhe presidenti amerikan Barak Obama.
Paradën, që nisi në orën 10:00 me orën lokale, e hapi presidenti rus Dmitri Medvedev, duke i bërë homazh veteranëve të luftës për rezistencën dhe luftën kundër nazistëve, që përfundoi në maj të vitit 1945 me marrjen e Berlinit nga ana e sovjetikëve.
/e.v/