Rusi - Trupa Ushtarake Nga Vende Të Nato-S Parakalojnë Në Sheshin E Kuq
MOSKË, 9 maj /ATSH-AFP/ - Ushtarë nga katër vende të NATO-s marshuan sot për herë të parë në Sheshin e Kuq në Moskë gjatë një parade ushtarake të festimit e 65 vjetorit të fitores së aleatëve ndaj Gjermanisë naziste.
Ushtarë francezë, amerikanë, britanikë dhe polakë parakaluan para Kremlinit, në paradën më të madhe ushtarake në Rusi që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Shtatëdhjetepesë ushtarë polakë, një njësi e specializuar në parada dhe ceremoni, ishin përfaqësuesit e parë të NATO-s që parakaluan në Sheshin e Kuq.
Franca është përfaqësuar nga regjimenti Normandie-Niemen, një ish-njësi luftarake e ushtrisë frënge krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shtetet e Bashkuara kanë dërguar nga ana e tyre një pjesë të batalionit 2 nga regjimenti i 18-të i këmbësorisë, ndërsa ushtria britanike ka dërguar një kontingjent nga Rojet e Uellsit.
Këta ushtarë të NATO-s, një organizatë që Rusia e sheh si kërcënimin kryesor për sigurinë e saj, parakaluan së bashku me ushtarë nga tetë ish republikat sovjetike dhe mbi 10.000 burra nga ushtria ruse.
/e.v/