English

Topalli: Shqipëria Është Sot Një Hap Afër Europës

- Gjatë një takimi me studentë të Masterit të Studimeve Europiane, në Universitetin e Tiranës - TIRANË, 9 Maj/ATSH/.- "Shqipëria është sot një hap afër Europës dhe shqiptarët e meritojnë anëtarësimin në të", tha sot Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë fjalës së mbajtur para studentëve të auditorit të Masterit të Studimeve Europiane, pranë Universitetit të Tiranës. Në kuadër të 9 Majit, Ditës së Europës, kryetarja e Kuvendit, e ftuar speciale mes studentëve dhe stafit akademik të këtij masteri, e cilësoi 9 majin një ditë krejt të veçantë. "Ishte 9 Maj 1950 kur Robert Shuman mbajti një fjalim të bazuar mbi idetë themelore të Zhan Monesë mbi atë që do të ishte Evropa e Bashkuar, ndaj dhe unë e konsideroj 9 majin një datëlindje të Evropës. 9 Maji është vërtet Dita e Evropës, për të cilën ne shqiptarët kemi shumë për të thënë", tha Topalli. Duke folur mbi rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, kryetarja Topalli theksoi se që nga rënia e komunizmit në vitet '90, e deri më sot, nuk ka vend tjetër të ketë bërë një rrugë kaq të gjatë në një kohë kaq të shkurtër. Ajo e cilësoi 2009 "një vit me ngjarje të jashtëzakonshme, duke filluar me dorëzimin e kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat, mbajtjen më 28 qershor të zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka pasur, dorëzimin nga KE të Pyetësorit dhe dorëzimin në Komision nga qeveria shqiptare të përgjigjeve të këtij dokumenti, ndërkohë që ka ardhur raporti për liberalizimin e vizave, me vlerësimin "shkëlqyeshëm" në të gjitha blloqet e tij. Tashmë pritet ajo që ne shqiptarët kemi kohë që e presim, lëvizja e lirë", u shpreh Topalli. /a.s//a.ke/
KOMENTE