Vlore: Nis Festivali Foklorik Nderkombetar "Aulona International Folk Festival"
VLORE, 9 maj/ATSH-H.Koçi/.- Mbrëmjen e të shtunës, në qytetin e Vlorës nisi nata e parë e Festivalit Folklorik Ndërkombëtar "Aulona International Folk Festival".
Në mjediset përpara stadiumit "Flamurtari" të qytetit, ku është ngritur edhe skena e zhvillimit të këtij aktiviteti, ishin të pranishëm qindra qytetarë vlonjatë. Akademik, Vaso Tole, drejtor artistik i festivalit, theksoi se, shndërrimi i Vlorës në një destinacion të rëndësishëm turistik ndërthuret edhe me vlerat e kulturës popullore dhe të folklorit, që vjen në këtë rast nga vende të ndryshme të Evropës.
Natën e parë të Festivalit e çeli grupi folklorik "Emin Duraku" i Kosovës, i cili u pasua nga Ansambli "Çamëria", Grupi "Bilbili" etj.
Në Edicionin e Dytë të Festivalit Ndërkombëtar "Aulona International Folk Festival", përfaqësohen 8 grupe folklorike. Ky aktivitet, që organizohet nga Qendra Kulturore "Bilbilat e Jugut", konsiderohet jo vetëm një manifestim i vlerave të folklorit dhe pasurisë shpirtërore të vendeve pjesëmarrëse, por edhe një mundësi për promovimin e resurseve turistike të qytetit të Vlorës.
Aktiviteti që do të zhvillohet gjatë katër ditëve, organizohet në marrëdhënie partneriteti me bashkinë e qytetit të Vlorës, atë të Orikumit dhe komunën e Novoselës, që janë tre njësi vendore që shtrihen përgjatë bregdetit, si dhe me operatorë të ndryshëm turistikë. Sipas drejtorit të përgjithhëm të festivalit, Sejmen Gjokoli, "ky festival folklorik ndërkombëtar, që organizohet për herë të dytë në qytetin e Vlorës, është i veçantë edhe për faktin se "Aulona International Folk Festival", ndihmon në mënyrë të drejtpërdrejtë në promovimin e resurseve turistike të bregdetit të Vlorës, ku përfshihet edhe zona që administrohet nga bashkia e Orikumit dhe komuna e Novoselës".
Festivali ka krijuar profilin e një aktiviteti folklorik në shërbim të drejtpërdrejtë të turizmit kulturor dhe në ndryshim nga aktivitete të tjera të ngjashme, që zhvillohen në Vlorë, "Aulona International Folk Festival", ka dimensione ndërkombëtare dhe si i tillë, ai është çertifikuar dhe është përfshirë në librin e festivaleve më të mira folklorike në nivel ndërkombëtar.
Festivali "Aulona International Folk Festival", është pjesë e aktiviteteve të vitit 2010, i cilësuar nga UNESCO, si viti ndërkombëtar i komunikimit përmes veprimtarive të kultures. Organizatorët synojnë ta shndërrojnë atë në një traditë, si një aktivitet me karakter të drejtpërdrejtë burimor e tradicional, duke u udhëhequr nga parimet e CIOFF (Organizata Ndërkombëtare e Organizimit të Festivaleve Folklorike).
Festivali do të ketë natyrë konkurruese dhe me çmime, por ndryshe nga ai i vitit të kaluar, përveç kupës së Festivalit, çmimet e tjera do të modelohen nga fusha e shërbimeve turistike të qytetit dhe do të zgjidhen në bashkëpunim me operatorët turistikë.
Në të do të jenë të pranishëm grupe folklorike nga 8 vende të ndryshme të Evropës: Polonia, Sllovakia, Kroacia, Bullgaria, Greqia, Italia, Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.
President nderi i festivalit, është akademiku Xhevair Spahiu. /a.ke/