Afganistan - Të Paktën 10 Viktima Nga Disa Shpërthime Në Helmand
KABUL, 10 maj /ATSH-AFP/ - Të paktën dhjetë persona, gjashtë civilë dhe katër policë afganë, humbën jetën si pasojë e shpërthimit të disa bombave artizanale dhe një rakete në provincën Helmand, bastion i talebanëve në jug të Afganistanit, njoftuan sot autoritetet afgane.
Katër policët, të cilët po patrullonin në distriktin Gereshk, humbën jetën nga shpërthimi i një mine artizanale, njoftoi Ministria e Brendshme afgane. Dy policë gjithashtu u plagosën nga shpërthimi.
Po ashtu, gjashtë civilë mbetën të vdekur sot në Helmand, sipas një zëdhënësi të zyrës së guvernatorit të provincës, Daoud Ahmadi.
Një raketë e lëshuar nga talebanët që kishte si shënjestër forcat afgane të sigurisë shkatërroi një banesë të madhe në Marjah.
Katër civilë mbetën të vdekur në këtë rajon bastion të talebanëve, ku rreth 15 mijë ushtarë afganë dhe amerikanë kanë ndërmarrë një ofensivë të gjerë në shkurt.
''Ndërkohë që, dy civilë humbën jetën nga shpërthimi i një mine artizanale në një moment kur po udhëtonin me automjetin e tyre'', shtoi Ahmadi./
/i.p/