Athinë - Papandreu Kërkon Ndihmën E Popullit Grek Për Zbatimin E Masave Antikrizë
ATHINË, 10 maj /ATSH-MIA/ - Kryeministri grek, Jorgos Papandreu kërkoi sot nga gjithë populli grek që të jetë në gjendje gatishmërie dhe të ndihmojë në realizimin e ndryshimeve të mëdha, të cilat i nevojiten Greqisë që të dalë nga kriza financiare.
"Programi për rimëkëmbjen e ekonomisë kërkon pjesëmarrjen e tërë popullit, të gjitha partive, gjithë shoqërisë për realizimin e ndryshimeve të mëdha", tha Papandreu në takimin e jashtëzakonshëm me liderët e partive të mëdha politike.
Papandreu shprehu keqardhjen për shkak të mungesës në takim të kryetares së Partisë Komuniste greke Aleka Papariga dhe të kryetarit të Koalicionit të së Majtës Radikale (SIRIZA), Aleksis Cipras.
Në takim mori pjesë vetëm lideri i forcës së parë opozitare ''Demokracia e Re'', Adonis Samaras dhe kryetari i Partisë së ekstremit të djathtë ''LAOS'', Jorgos Karaxhaferis.
"Ndryshimet janë të domosdoshme. Duhet të heqim dorë nga Greqia e mëparshme, t'i japim fund Greqisë ku sundon paligjshmëria dhe mosdënimet dhe ku ka mungesë besimi", tha Papandreu./
a.jor.