Berisha: Korrupsioni Në Shëndetësi Duhet Të Luftohet Në Çdo Hap E Çdo Proçedurë
- Mblidhet Task Forca e radhës për shëndetësinë -
TIRANË, 10 Maj/ATSH/ - "Korrupsioni duhet të luftohet në çdo hap e çdo procedurë", u shpreh sot Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e radhës së Task Force për Shëndetësinë.
"Publikut duhet t`i bëhen transparente problemet dhe masat e ndërmara si dhe të tregohet një vëmendje e veçantë për informatizimin e shërbimit spitalor e farmaceutik, si mekanizma shumë të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin e çuar përpara sistemin shëndetësor", theksoi Kryeministri
Sipas Zyrës së Shtypit të kryeministrisë, në takim krahas zbatueshmërisë së detyrave të lëna nga mbledhjet e mëparshme, Kryeministri u ndal në çështjen e korrupsionit në shëndetësi dhe hapat konkretë që janë e duhen ndërmarrë në luftën e mëtejshme kundër tij.
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili referoi masat e mara deri tani për këtë qëllim, si sistemi i referencës dhe minimizimi i kontakteve informale ndërmjet mjekut e pacientit, që kanë çuar në minimizimin e fenomenit të pagesës nën dorë dhe rregullin në kryerjen e vizitave mjekësore.
Gjithashtu, ai bëri të ditur urdhrat për afishimin transparent të tarifave dhe orareve të shërbimeve, për barnat që mungojnë në spitale dhe mënyrën si autorizohet blerja e tyre nga pacienti, komunikimin etik me pacientin dhe familjaret, urdhrin për hartimin e protokolleve dhe udhërrëfyesve, si dhe ngritjen e grupit të punës për kostifikimin e shërbimeve. Ministri i Shendetësisë paraqiti Task Forcës edhe planin e detajuar të masave që është në matricën antikorrupsion të MSH për vitin 2010.
Gjatë takimit u evidentuan shkaqet e korrupsionit në hallka të ndryshme e të veçanta të sistemit, si dhe u diskutua për gjetjen e rrugëve efikase e konkrete për ta luftuar thellësisht atë.
Ndërsa vlerësoi hapat e deritanishëm në këtë drejtim, Berisha kërkoi që të marrë fund problemi i mungesës së barnave në spitale, i mosfunksionimit të aparaturave apo mosbërjes së analizave e ekzaminimeve të ndryshme në shërbimin publik shëndetësor, i sorollatjes së pacientëve me qëllim përfitimi, i trajtimit jo etik të pacientëve e familjarëve.
Duke theksuar se përparësia absolute e reformës në sistemin shëndetësor është lufta kundër korrupsionit, Berisha u shpreh se "publikut duhet t`i bëhen transparente problemet e masat e ndërmarra".
Kryeministri kërkoi "të bëhen ndryshimet e nevojshme në mënyrë që çdo hallkë e sistemit t`i shërbejë sa më mirë e shpejt pacientëve, që qytetarët shqiptarë të marrin shërbimin shëndetësor që ata meritojnë".
Vend me rëndësi në takimin e Task Force iu kushtua çështjes së Universitetit Mjekësor.
Për të bërë hapat e duhur e të matur në këtë drejtim, kryeminstri i kërkoi ministrave të linjës dhe dekanit të Fakultetit të Mjekësisë të punojnë për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore për kalimin e departamenteve të stomatologjisë dhe farmacisë në fakultetet respektive. Berisha kërkoi t`i krijohet hapësira e duhur punësimit dhe konkurrimit të mjekëve të rinj e të talentuar, me kontribute e aktivitete të shprehura shkencore.
Vëmendje e veçantë në takim iu kushtua informatizimit të shërbimit spitalor dhe farmaceutik, si mekanizma shumë të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin e çuar përpara sistemin shëndetësor, që ky t`i përgjigjet standardeve më të mira të kërkuara, proces që duhet bërë nën drejtimin e AKSHI-t, duke pasur parasysh praktikat më të mira në këtë drejtim. /e.ç//n.m/