Berisha: Okb Rendit Shqipërinë Të Dytën Në Botë Për Transparencën E Prokurimeve
TIRANË, 10 Maj/ATSH-Maela Marini/.- "Organizata e Kombeve të Bashkuara rendit Shqipërinë të dytën në botë për transparencën e prokurimeve në vend", tha sot, Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Duke e konsideruar këtë një lajm shumë të rëndësishëm, Kreu i Qeverisë theksoi se "OKB me agjencitë e saj ka renditur të dytin në botë sistemin e prokurimeve publike në Shqipëri".
"Janë dy vende që kanë sistemin e prokurimeve 100 për qind elektronike, Singapori dhe Shqipëria. Ndërsa vendet e tjera e kanë në përqindje të ndryshme nga 20 në 80 për qind", tha Kryeministri Berisha.
Ai e konsideroi këtë një arritje madhore historike, në përpjekjen e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin në këtë vend. "Vendi që 5 vite më parë ishte ndër më të korruptuarit e planetit për prokurimet, sot vlerësohet si vendi i dytë në botë përsa i përket transparencës së këtij procesi", tha Kryeministri Berisha.
Sipas Kryeministrit, "në vjeshtën e vitit 2008, qeveria vendosi të trajnojë të gjitha autoritetet kontraktuese të vendit për të proceduar me prokurimet elektronike, ndërsa prokurimet manuale u ndaluan tërësisht nga 1 janari 2009".
Arritja e një standardi të tillë, sipas Kreu të Ekzekutivit, "është një inkurajim i madh në betejën tonë kundër korrupsionit".
"Prokurimi elektronik ka qenë një projekt i financuar nga Pragu i Koorporatës së Mijëvjeçarit dhe i zbatuar nga Agjencia Amerikane Ndërkombëtare e Ndihmës. Qeveria shqiptare, duke parë leverdinë e madhe të kësaj procedure, e shtriu atë me shpejtësi nga 15 -20 për qind të prokurimeve në të gjitha prokurimet, por baza e prokurimit elektronik në Shqipëri u vendos në kuadrin e projektit dhe fondeve që Koorporata e Sfidës së Mijëvjeçarit i dha vendit pasi fitoi Pragun", tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri theksoi se "Qeveria ka bërë përballjen më të mirë me korrupsionin në njërin prej fushave ku ai ishte më i përhapur, prokurimet".
"Unë nuk them se ato kanë dalë tërësisht jashtë korrupsionit, por mund të them se ato sot kanë në sistem një nga transparencat më të larta në botë. Lufta për konsolidimin e kësaj transparence tani është detyrë kryesore, por edhe më e lehtë", tha Kryeministri Berisha.
Në përfundim, ai siguroi se "shumë shpejt të gjitha blerjet e vogla dhe ankandet do të jenë elektronike, si forma më transparente e punës"./s.s./