Berisha: Shqipëria Është Sot Më Afër Se Kurrë Realizimit Të Ëndrrës Europiane
- Kryeministri Berisha përuron shkollën e re 9-vjeçare "Isa Domi", në fshatin Pjesëz të komunës Xhafzotaj (Durrës) -
DURRËS, 10 Maj /ATSH-Gëzim Kabashi/. "Shqipëria është sot më afër se kurrë në realizimin e ëndrrës së saj evropiane", tha sot Kryeministri Sali Berisha në fshatin Pjesëz të komunës Xhafzotaj (Durrës), ku mori pjesë në ceremoninë e përurimit të shkollës së re 9-vjeçare "Isa Domi".
Duke i'u drejtuar të pranishmëve, z. Berisha theksoi se një ditë pas festimeve për 60-vjetorin e Deklaratës themeluese të Bashkimit Evropian ne kujtojmë se në ato vite Shqipëria përjetonte natën e egër të diktaturës hoxhiste, e cila e izoloi dhe zhvendosi vendin tonë nga Evropa.
"Para 20 vitesh kemi qenë të fundit në botë, ndërsa sot jemi më afër se kurrë realizimit të ëndrrës evropiane", tha Kryeministri Berisha.
Duke i'u drejtuar atyre që u bien sirenave të krizës e përpiqen të mohojnë arritjet gjatë këtyre viteve, Kryeministri Berisha tha se "ata që qajnë dhe vajtoni për vonesën, qajnë në fakt për etërit e tyre". Ai i'u drejtua në distancë drejtuesve të Partisë Socialiste, duke iu kërkuar atyre "të heqin syzet e kuqe me të cilat shikojnë realitetin shqiptar".
"Bota po përjeton krizën më të madhe pas viteve 1930, por ekonomia shqiptare ka patur rezultatet më të mira se çdo vend tjetër i Evropës", vijoi më tej Berisha, duke nënvizuar se që nga fillimi i këti viti janë dyfishuar eksportet, janë regjistruar 40 përqind më shumë biznese dhe janë rritur rrogat dhe pensionet për 800 mijë shiptarë.
"Rruga për në Evropë është një garë që bazohet në mundin, djersën dhe në aftësitë tona dhe ne e meritojmë plotësisht atë", përfundoi fjalën e tij kryeministri Sali Berisha.
Në vizitën e tij në komunën Xhafzotaj, Kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj, si dhe nga deputetë dhe drejtues të pushtetit vendor në qarkun e Durrësit./m.m/f.n/