English

Cisjordani - Abas I Kërkon Shba-Së Të Reagojë Lidhur Me Kolonizimin Hebre

RAMALLAH, 10 maj /ATSH-AFP/ - Presidenti i Autoritetit palestinez Mahmud Abas i bëri thirrje sot Uashingtonit "të reagojë" ndaj njoftimit për vazhdimin e kolonizimit hebre, pas fillimit të bisedimeve jo të drejtpërdrejta me izraelitët. "Administrata amerikane duhet të reagojë ndaj këtyre akteve izraelite sepse ajo na ka premtuar ndalimin e kolonizimit hebre në Cisjordaninë e pushtuar", deklaroi Abbas për AFP-në. "Duhet që ajo të reagojë", këmbënguli ai. "Palestinezët kanë marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara lidhur me kolonizimin dhe nevojën që ai të marrë fund sidomos në Jerusalemin Lindor, përpara se të fillojnë bisedimet jo të drejtpërdrejta me izraelitët", u shpreh të shtunën këshilltari i Abasit, Jaser Abed Rabo. Por, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu i përgënjeshtroi dje në mbrëmje deklaratat sipas të cilave Izraeli është angazhuar për ndalimin për dy vjet të projektit të rëndësishëm të ndërtimit të kolonive hebreje në Ramat Shlomo në Jerusalemin Lindor, siç njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit. "Asnjë angazhim nuk është marrë nga Izraeli lidhur me këtë çështje", u shpreh ai, duke bërë të ditur në të njëjtën kohë se siç parashikohej, ndërtimi nuk do të fillojë përpara afatit të caktuar prej dy vjetësh. Uashingtoni paralajmëroi Izraelin dhe palestinezët për moskryerjen e asnjë akti "që do të dëmtonte besimin" ndërkohë që bisedimet jo të drejtpërdrejta mes palëve kanë filluar të dielën. "Siç e dinë të dyja palët, nëse njëra ose tjetra merr masa gjatë bisedimeve, që, sipas nesh, do të dëmtonin rëndë besimin, ne do të reagojmë duke i bërë ata përgjegjës në mënyrë që bisedimet të vazhdojnë", deklaroi në një komunikatë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Philip Crowley. Jerusalemi Lindor, aneksimi i të cilit nga Izraeli në vitin 1967 pas pushtimit të tij nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar, është në qendër të konfliktit izraelito-palestinez. Palestinezët kërkojnë ta bëjnë atë kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm, ndërkohë që izraelitët e konsiderojnë qytetin e Jerusalemit në tërësi si kryeqytetin e tyre "të përjetshëm dhe të pandashëm". /I.Pu.
KOMENTE