English

Durrës: Kushte Të Mira Atmosferike, Lundrim Normal I Mjeteve Detare

DURRËS, 10 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Kushtet e favorshme atmosferike dhe detare si dhe moti i kthjellët do të karakterizojnë sot situatën meteorologjike në rajonin e Durrësit. Burime nga kapiteneria e portit bënë të ditur për ATSH-në se tre tragete me udhëtarë dhe kamionë, që mbërritën nga Bari (Itali), po ankorohen njëri pas tjetrit në kalatat e portit më të madh të vendit, ndërsa pasdite pritet të mbërrijë një traget tjetër nga porti i Triestes. Era që vazhdon të fryjë e lehtë nga veriu dhe verilindja do të ndikojë në qëndrueshmërinë e kushteve të mira të motit dhe të detit, shtuan burimet e kapitenerisë së portit. Në kalatat portuale ka nisur përpunimi i anijeve tregtare me mallra dhe kontejnerë, ndërsa falë kushteve të mira detare trafiku i mjeteve lundruese parashikohet në hyrje dhe dalje të portit detar të vijojë pa probleme. Sipas burimeve të kapitenerisë, motopeshkatoret e sektorit të Durrësit vazhdojnë gjuetinë nga grykëderdhja e Semanit në jug deri në atë të Bunës në veri./s.s./
KOMENTE