Rashkë, 10 maj, NOA – Një varrezë masive me eshtrat e 250 shqiptarëve nga Kosova është zbuluar në afërsi të qytetit të Rashkës në Serbinë jugore.
Kanë qenë forcat e misionit të EULEX-it që i kishin zbuluar ato dhe lidhur me këtë, kanë sqaruar se ato kanë punuar në mënyrë të vazhdueshme tani e një kohë të gjatë duke ofruar informacione mbi një varrezë të mundshme masive në rajonin e Rashkës, gjë që doli e vërtetë.
Por, ata thonë se ende janë duke pritur një konfirmim nga autoritetet e Serbisë që kjo varezë vërtet është zbuluar, kuptohet, në mënyrë zyrtare.
EULEX-i, beson se bashkëpunimi rajonal jo vetëm me Serbinë, por edhe me aktorët tjerë rajonalë është thelbësor në përpjekjet për të zgjidhur çështjet, që ndikojnë në jetën e shumë njerëzve të komuniteteve të ndryshme.
Nga ana e tij, zëvendësprokurori serb për krime lufte, Bruno Vekariç, tha se “tash mendojmë se kemi lokacionin e duhur dhe do të bëjmë gjithçka që të kryhen sa më parë çështjet teknike, që të zhvarrosen trupat dhe natyrisht me procedurë të rregullt, t’u jepen të afërmve”.
n.e/NOA