Shkup, 10 maj, NOA - Me rastin e ditës së 9 Majit, Ditës së Evropës, Forumi i Demokratëve të Rinj organizoi një takim nën moton “BE, e vetmja alternativë”.
Në këtë takim, të rinjve të Demokracisë së Re iu drejtuan sekretarja e DR-së për Arsim, Gjylymser Kasapi; sekretari i DR-së për Kulturë, Rini dhe Sport, Dritan Ramadani dhe kryetari i PDR-së, Imer Selmani.
Duke rikujtuar ëndrrën e ministrit të Jashtëm francez të vitit 1950, Robert Shuman për një Evropë të bashkuar, Ramadani theksoi se vlerat siç janë ekzistenca multi-etnike dhe multi-kulturore, liritë dhe të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit, shteti ligjor, ekonomia e tregut, mbi të cilat u ndërtua Bashkimi Evropian janë vlera me të cilat shtetet evropiane zëvendësuan luftërat e përgjakshme të së kaluarës me paqe, tolerancë, stabilitet dhe zhvillim ekonomik.
Sipas tij, zhvillimet globale imponojnë nevojën që edhe Evropa t’i qaset zhvillimit të mëtutjeshëm, e këtu rol të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm ka rinia, pasi me kreativitetin e saj më lehtë ndjek trendet globale.
Në fund, fjalën e mori kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selmani, i cili përshëndeti të rinjtë dhe u uroi Ditën e Evropës, sepse siç tha ai, në këtë ditë duhet të gjithë të rikujtojmë përcaktimin për t’i siguruar rinisë perspektivë të sigurt në BE.
n.e/NOA