Gati Infrastruktura Rrugore Në Prag Të Sezonit Turistik
-Deklaron për ATSH-në, zv/ministri i MPPT, Ernest Noka-
TIRANE, 10 Maj/ATSH-A.Gjonaj/-Infrastruktura rrugore do t'i përgjigjet më së mirë sezonit turistik.
Zëvendësministri i Punëve Publike dhe Transportit, Ernest Noka, tha për ATSH-në se "qeveria shqiptare po zhvillon në disa aspekte transportin, konkretisht atë rrugor, ajror dhe ujor".
Sipas tij, është punuar në zhvillimin e transportit nga një qytet në tjetrin, lidhjen me Ballkanin, por edhe në përmirësimin e porteve, duke zhvilluar kalatat, sheshet e kontejnereve në kuadër të rritjes së volumit të përpunimit të mallrave në porte.
"Në portet kryesore të vendit po zbatohen një sërë projektesh me financime të qeverisë shqiptare, Bankës Botërore, por edhe Kooperacionit Italian, investime të cilat synojnë lehtësimin e levizjes së udhëtarëve dhe mallrave, përmes përmirësimit të sistemit të kontrollit deri në dixhitalizimin e tyre, për të cilën Shqipëria ka marrë edhe statusin e vendit presistent bashkëkohor të kontrollit nga Roja Bregdetare Amerikane.
Në drejtim të infrastrukturës rrugore, sipas Nokës, disa akse të rëndësishme, që kontribuojnë në thithjen e turistëve nga Kosova, Serbia e më gjerë drejt plazheve shqiptare, si rruga Durrës-Kukës-Morinë, asfaltimi i rrugës Rrëshen-Rubik, si dhe aksi rrugur Milot-Thumanë, pritet të përfundojnë deri në fund të muajit maj.
Noka u shpreh se po punohet edhe në akse të tjera që lidhin qendrat urbane me plazhet, konkretisht Lezhë-Shëngjin, Shëngjin-Kune, Lezhë-Hoteli i Gjuetisë, Shkodër Velipojë, zgjerimi i rrugës drejt Plazhit të Patokut, Laç-Patok, rehabilitimi i Unazës së Durrësit, ndërtimi i rrugës së Porto Romanos, si dhe përfundimi i rrugës Plepa-Rrogozhinë, duke përfshirë edhe rrugët dytësore deri në Golem.
Në të njëjtën kohë, z. Noka tha se po punohet edhe në drejtim të rregullimeve të shesheve kryesore të komunave përgjatë rrugës së Rivierës, si Palasë, Dhërmi, Qeparo, etj.
Përsa i përket investimeve në zonat liqenore, të cilat janë edhe ato pjesë e turizmit shqiptar, Noka u shpreh se po punohet për kthimin e rrugëve ndërlidhëse në rrugë urbane, që përfshijnë ndriçimin dhe të gjithë elementet e sigurisë.
Në këtë drejtim, ai renditi rrugët Qafë Thanë-Lin-Pogradec, rrugën lidhëse Pogradec-Tushemisht, rruga Liqenas-Prespë, etj.
Noka tha se investime po kryhen edhe në përmirësimin e infrastrukturës rrugore që lidh qendrat urbane me qendra të njohura të kultit si Krujë-Sarisalltik, Berat-Tomor, etj.
Gjatë periudhës 2005-2009 investimet në rrugët e vendit arritën në 178 miliardë lekë, ndërsa në periudhën 2002-2005 u investuan vetëm 24 miliardë lekë. Gjatë kësaj periudhe vendit iu shtuan 5 983 km rrugë të reja./s.s./