Gjermani - Merkel: Plani I Ndihmës Evropiane Do Të Forcojë Dhe Mbrojë Euron
BERLIN, 10 maj /ATSH-AFP/ - Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh sot se plani i ndihmës prej qindra miliarda eurosh i hartuar nga vendet evropiane do të "forcojë dhe mbrojë euron" dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve të zonës euro të forcojnë financat e tyre publike.
"Duhet të sulmohet problemi në rrënjë dhe të luftohen me të vërtetë shkaqet e tensioneve që rëndojnë aktualisht mbi monedhën unike evropaine", deklaroi kancelarja në një konferencë të shkurtër shtypi, ku u përmend nevoja e "konsolidimit të buxhetit" të të gjitha vendeve të zonës euro.
Vendimet e marra dje do të bëjnë të mundur "forcimin dhe mbrojtjen e euros", u shpreh Merkel.
"Mund t'ua them këtë bashkëpatriotëve të mi: po mbrojmë paratë e njerëzve në Gjermani", shtoi ajo.
Ajo përshëndeti gjithashtu njoftimet që vijnë nga Spanja dhe Portugalia për të bërë gjatë vitit 2010 dhe 2011 përpjekje për kursime më të mëdha duke theksuar se këto masa përbëjnë një mesazh të rëndësishëm në drejtim të tregjeve".
Vendet e BE-së ranë menjëherë dakord për hartimin e një plani historik ndihme që arrin deri në 750 miliardë euro për të ndihmuar vendet e zonës euro, nëse do të jetë e nevojshme, dhe për të penguar një krizë financiare që kërcënon të përhapet në të gjithë botën.
Kjo ndihmë e paprecedentë në historinë e kohëve të fundit për një program ndihme financiare përfshin hua dhe garanci nga vende të zonës euro, si dhe hua të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Vendimi për të u mor gjatë natës së djeshme pas më tepër se 11 orë bisedimesh në Bruksel mes ministrave evropianë të Financave, të thirrur me urgjencë.
/I.Pu.