Tiranë, 10 maj, NOA – Ka hyrë në ditën e saj të njëmbëdhjetë, greva e urisë së 22 deputetëve socialistë dhe 180 mbështetësve të tyre, ndërsa dje i është bashkuar asaj edhe këngëtarja e njohur shqiptare që jeton në Itali, Elsa Lila.
Me kalimin e ditëve, gjendja e grevistëve sa vjen dhe bëhet më e rënduar, ndërsa 16 protestues socialistë u janë drejtuar mjediseve të spitalit për të marrë ndihmën shëndetësore, pasi kanë rezultuar me kushte të përkeqësuara.
Greva e urisë vazhdon që prej mbrëmjes së 30 prillit në çadrat e ngritura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para godinës së Kryeministrisë, ndërsa protestuesit duken të vendosur në objektivin e grevës së tyre, i cili është ai i realizimit me çdo kusht i transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, ditën e djeshme kryesocialisti Edi Rama ka thënë para turmës së opozitës se në datën 14 maj një protestë tjetër e madhe parashikohet të zhvillohet në Tiranë.
n.e/NOA