Irak - Arrin Në 32 Bilanci I Viktimave Nga Një Seri Atentatesh Me Bomba
BAGDAD, 10 maj /ATSH-AFP/ - Arrin në 32 bilanci i të vdekurve dhe mbi 100 ai i të plagosurve nga një seri atentatesh në Irak, që kishin si shënjestër veçanërisht forcat e sigurisë dhe një xhami shiite në jug të Bagdadit, sipas një bilanci të ri të burimeve të sigurisë.
Në qytetin Suwayra, rreth 60 kilometra në jug të Bagdadit, një bombë shpërtheu në afërsi të një xhamie shiite dhe ndërkohë që shumë kalimtarë vrapuan për të shpëtuar viktimat e para, një autobombë tjetër shpërtheu në vend.
Në total, njëmbëdhjetë persona mbetën të vdekur dhe 70 të tjerë u plagosën nga atentati i dyfishtë, sipas një bilanci të ri të burimeve të dhënë për AFP nga zyrtari i policisë Sabah al-Chammari.
Në kryeqytetin irakian, sulmet ma armë zjarri dhe atentatet me bomba kanë pasur si shënjestra kryesisht disa postëkomanda kontrolli ku kanë mbetur të vdekur 9 persona dhe janë plagosur 24 të tjerë, kryesisht pjesëtarë të forcave të sigurisë, sipas disa burimeve nga Ministria e Brendshme.
"Sulmet nisën rreth orës 03:30 GMT dhe kanë vazhduar deri rreth orës 05:00 GMT", shtuan burimet./
/i.p/