Kosovë -Ldk Fiton Në Balotazhin Për Kryetar Komune Në Istog
PRISHTINË, 10 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fitoi balotazhin e djeshëm të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në Istog, vendlindje e themeluesit të kësaj partie dhe presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
LDK në bastionin e saj, me kandidatin Haki Rugova, ka fituar 76 për qind të votave, ndërsa kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shasivar Haxhiaj, fitoi 24 për qind.
Të dy kandidatët janë të partive të koalicionit qeverisës në nivel vendi.
Rezultatet paraprake u shpallën mbrëmë nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), vetëm rreth tre orë pas mbylljes së votimeve.
Më parë KQZ kishte njoftuar se në votim morën pjesë rreth 29.03 për qind e më shumë se 39 mijë votuesve të regjistruar në 55 vendvotime, të hapura nga ora 07.00 deri në 19.00.
Në raundin e parë të zgjdhjeve, më 11 prill, kandidati i LDK-së kishte fituar afër 49.7% të votave, por nuk arriti të kalojë 50 përqindëshin për të qenë i zgjedhur, ndërsa kandidati i PDK-së kishte fituar rreth 22 % të votave.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme u organizuan në Istog pas zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit 2009, të parave në Kosovën e pavarur, pasi fituesi i tyre, i rizgjedhuri kryetar komune, Fadil Ferati (nga LDK), ndërroi jetë më 30 janar.
Në muajin e ardhshëm, më 20 qershor, në Kosovë do të ketë edhe një proces zgjedhor: në Partesh votohet për herë të parë për parlamentin lokal dhe kryetarin e komunës së re me shumicë serbe të krijuar sipas Paketës Ahtisaari./s.s./