Kosove: Lunaçek, "Pavarësia E Kosovës Është Një Fakt I Kryer"
PRISHTINË, 10 Maj /ATSH-B.Jashari/.- "Pavarësia e Kosovës është një fakt i kryer", tha raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek.
"Unë angazhohem në mënyrë kategorike kundër bisedimeve për çështje të statusit. Pavarësia e Kosovës është një fakt i kryer dhe ajo që mendoj se mund të bisedohet, janë çështjet praktike që lidhen me bashkëpunimin dypalësh. Gjithçka tjetër, konsideroj se është e pakuptimtë dhe shpresoj se kështu mendojnë edhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian", tha Lunaçek në një intervistë sot në Radio Kosova.
Lunaçek tha se "në muajt e ardhshëm duhen bërë hapa të rëndësishëm në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave edhe për Kosovën".
Ajo u angazhua për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe e vlerësoi shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e të gjitha palëve në konferencën e Sarajevës. /a.ke/