Tiranë, 10 maj, NOA – Korrupsioni në sektorin shëndetësor duhet të luftohet në çdo hap e çdo procedurë dhe publikut duhet ti bëhen transparente problemet e masat e ndërmarra në këtë aspekt.
Një fakt të tillë, kryeministri Berisha e bëri me dije sot gjatë mbledhjes së radhës të Task Forcës së Shëndetësisë, ku u diskutuan një sërë problematikash, ndër kryesoret, ajo e korrupsionit në shëndetësi dhe hapat konkretë që janë e duhen ndërmarrë në luftën e mëtejshme kundër tij.
Nga ana e tij, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili referoi për masat e marra deri më tani nga ministria për këtë qëllim siç janë sistemi i referencës dhe minimizimi i kontakteve informale ndërmjet mjekut e pacientit që kanë çuar në minimizimin e fenomenit të pagesës nëndorë dhe rregullin në kryerjen e vizitave mjekësore.
Gjithashtu, ministri bëri të ditur urdhrat: për afishimin transparent të tarifave dhe orareve të shërbimeve; për barnat të cilat mungojnë në spitale dhe mënyrën si autorizohet blerja e tyre nga pacienti; urdhrin për komunikimin etik me pacientin dhe familjaret; urdhrin për hartimin e protokolleve dhe udhërrëfyesve; urdhrin për ngritjen e grupit të punës për kostifikimin e shërbimeve.
Por gjatë takimit, u evidentuan edhe shkaqet e korrupsionit në hallka të ndryshme e të veçanta të sistemit dhe u diskutua për gjetjen e rrugëve efikase e konkrete për ta luftuar thellësisht atë.
Kryeministri vlerësoi hapat e deritanishëm në këtë drejtim, por kërkoi që të marrë fund problemi i mungesës së barnave në spitale, i mosfunksionimit të aparaturave apo mosbërjes së analizave e ekzaminimeve të ndryshme në shërbimin publik shëndetësor, i sorollatjes së pacientëve me qëllim përfitimi, i trajtimit jo etik të pacientëve e familjarëve.
n.e/NOA