Lajme Shkurt Nga Rrethet-Kronikë-10 Maj 2010
* Vidhen lojrat e fatit, s'dihen autorët
KUKËS - Në orët e para të së hënës persona të panjohur kanë vjedhur "Luis Bingon, lokalin më të madh të lojrave të fatit në Kukës, nga gjashtë të tilla gjithsej. Sipas policisë, hajdutët kanë thyer 5 makineri, nga 10 që kishte firma, dhe kanë vjedhur rreth 500 mijë lekë që ndodheshin në to.
"Deri tani janë shoqëruar (në polici) 4 persona, por ende nuk janë zbuluar autorët e vërtetë të kësaj vjedhjeje," thanë burimet zyrtare të policisë./r.hoxha/ch/
* Ndalohet 47 vjeçarja, akuzohet për pulla të falsifikuara
ELBASAN - Një 47 vjeçare është ndaluar të hënën, pasi dyshohet se shiste pulla false. Sipas policisë, është ndaluar Vangjelie Shukle, pasi ajo është paraqitur pranë Filialit të Postës Qëndrore dhe ia ka sugjeruar një punonjëseje të postës nëse ajo dëshironte të blinte disa pulla poste me një çmim të arsyeshëm. Policia ka bllokuar në cilësinë e provës materiale 64 pulla poste me vlerë 40 lekë copa, të cilat dyshohen të jenë të falsifikuara./m.sadiku/ch/
* Shkojnë për peshkim, plagosen dhe arrestohen
LIBRAZHD - Tre shtetas janë arrestuar në flagrancë në orët e para të mëngjesit të sotëm pasi akuzohen për veprën penale "mbajtje pa leje të lëndëve plasëse". Sipas policisë, "janë arrestuar Jani Meta, 22 vjeç, Oltjon Meta, 23 vjeç dhe Aurel Meta, 18 vjeç, të tre banues në fshatin Kuturman, komuna Qendër-Librazhd." Tre të rinjtë kanë përgatitur një përzierje plehu kimik me naftë dhe kapsolla detonatore me fitil, dhe më pas kanë shkuar për të peshkuar në lumin afër fshatit të tyre. Në kohën që Oltjon Meta, ka hedhur për peshkim një përzierje të tillë , ajo i ka plasur në duar e për pasojë kanë mbetur të dëmtuar tre të rinjtë. Tre të plagosurit ndodhen të shtruar në spitalin kirurgjik të Elbasanit dhe, sipas mjekëve, janë jashtë rrezikut për jetën./m.sadiku/ch/