Tiranë, 10 maj, NOA – Bashkëpunimi i Shqipërisë me botën arabe në tërësi dhe Arabinë Saudite në veçanti, po thellohet dhe konsolidohet vazhdimisht.
Një fakt të tillë, ministri i Brendshëm Lulëzim Basha e ka bërë me dije gjatë një takimi që zhvilloi me një delegacion të komisionit parlamentar të Miqësisë Arabi Saudite -Shqipëri, të kryesuar nga dr. Mohamed Al Alsalim.
Në takim u diskutua mbi bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat, e në veçanti mbi bashkëpunimin policor dhe në fushën e sigurisë.
Në veçanti, duke shprehur falënderimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga mbretëria e Arabisë Saudite, ministri Basha theksoi se Shqipëria dhe shqiptarët kanë dëshmuar se janë faktor i rëndësishëm paqeje, sigurie e stabiliteti në rajon.
Nga ana e tij, kreu i delegacionit dr. Al Alsalim përgëzoi arritjet e Shqipërisë në proceset e saj integruese si dhe u shpreh se zhvillimi i qëndrueshëm e stabiliteti i vendit premton për investime të rëndësishme në të gjitha fushat.
n.e/NOA