Ndoka:Mbeshtes Kauzen E Opozites, Ndeshkim Manipuluesve Te Zgjedhjeve
JEVE
TIRANE, 10 Maj/ATSH- A. Gegvataj/. - Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, deklaroi për ATSH-në se, protestat dhe greva e urisë e deputetëve të Partisë Socialiste janë një kauzë e drejtë, pasi, sipas tij, është shkelur garancia e Kodit Zgjedhor.
Ndoka tha se PDK, mbështeti edhe grevën e urisë së deputetëve të Partisë Levizja Socialiste për Integrim, kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe po jep mbështetjen maksimale ndaj kësaj kauze, për arsye se për vendin e sheh si të vetmen garanci për të ecur përpara.
"Greva që ne zhvilluam së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim ishte një grevë urie unikale në historinë parlamentare shqiptare për faktin se kundërshtuam hartimin e Kodit Zgjedhor, të bindur që ky kod do të ishte problematik, së pari duke i dhënë një goditje shumë të madhe pluralizmit politik shqiptar", tha Ndoka, duke sqaruar se përjashtimi i disa partive politike parlamentare nga e drejta e tyre për monitorimin, kontrollin e zgjedhjeve dhe administrimin i tyre do të ishte me pasoja, dhe kjo ndodhi.
"Ndërsa sot jemi në kushte krejt të tjera, jemi përballë një situatë kur janë prishur zgjedhjet në Shqipëri, janë manipuluar dhe janë thyer rregullat e lojës", thotë Ndoka, sipas të cilit, "Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor kanë shkelur ligjin hapurazi".
Ndoka tha se "Partia Demokristiane, nëpërmjet hetimit dhe rinumërimit të votave në Qarkun e Shkodrës nëpërmjet filmimeve të marra ne rrugë zyrtare nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, ka arritur të faktojë vjedhjen e votave që janë bërë në dëm të Partisë Demokristiane, duke na kushtuar një mandat në këtë qark".
Materialet dhe provat filmike, procesverbalet e kutive të votimeve, vendimet e komisioneve zonale, ku këto komisione kanë marrë vendim për përjashtimin e vëzhguesve të Polit të Lirisë dhe Partisë Demokristiane, i kemi dërguar në Prokurori, duke hapur një çështje penale për komisionerët e Partisë Demokratike dhe ata të Partisë Socialiste, të cilët kanë shkelur ligjin duke manipuluar rezultatin e zgjedhjeve, bëri të ditur kreu i PDK-së.
Ndoka thotë se "nisur nga fakti që kanë kaluar 6 muaj që prokuroria nuk ka bërë asnjë hap për të hetuar këto prova të pakontestueshme, PDK i është bashkuar kauzës së opozitës socialiste nisur nga fakti që nëse nuk arrijmë të ndëshkojmë përgjegjësit e manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, nuk do të sigurojmë asnjëherë që të kemi zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri".
Ndoka gjykon se, nuk ka asnjë pengesë ligjore dhe kushtetuese për të bërë transparencën e zgjedhjeve. "Çdo gje që flitet nga maxhoranca është thjeshtë një pjesë demagogjie edhe për faktin se parlamenti i vitit 2005, nepërmjet një komisioni hetimor, ka bërë të mundur hapjen e kutive të votimit dhe transparencën e tyre. Pra e kemi një precedent të tillë, të cilën shumica dëshiron ta anashkalojë dhe ta harrojë", tha Ndoka.
Kreu i PDK-së, Nard Ndoka , thotë se "pavarësisht rezervave që kemi ndaj Kodit Zgjedhor, e kemi njohur tashmë rezultatin e zgjedhjeve edhe ne si forcë politike. Edhe pse jemi direkt të penalizuar nga vjedhja e votave, nuk kërkojmë mandatin, por kërkojmë që ata faktorë që na kanë vjedhur mandatin të marrin përgjigjen e merituar në bazë të ligjit, që të mos guxojnë përsëri nesër të fusin duart në kutitë e votimit"./s.s./