Parlamentarët Sauditë: Klima Ekonomike Në Shqipëri Është Nxitje Për Investime Gjigande
- Gjatë një takimi me përfaqësues të grupit parlamentar të miqësisë Arabi Saudite-Shqipëri -
TIRANË, 10 Maj/ATSH/.- "Klima ekonomike në Shqipëri është një nxitje për investime gjigande", u shprehën sot përfaqësuesit e grupit parlamentar të miqësisë Arabi Saudite-Shqipëri në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Që prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin '92, mes dy vendeve po shënohet një shkëmbim intensiv parlamentar, por edhe më i gjerë politik dhe ekonomik.
Duke folur për pavarësinë e Kosovës, kryetarja e Kuvendit falenderoi delegacionin saudit për njohjen e saj në prill 2009 dhe i kërkoi mbështetje përmes influencës së tyre të fuqishme edhe në vendet e tjera të botës arabe.
"Ne vlerësojmë rolin e Arabisë Saudite në të gjitha veprimtaritë e OKB-së në drejtim të ruajtjes së paqes, forcimit të sigurisë, dhe respektimit të të drejtave të njeriut, dhe pavarësia e Kosovës është një faktor stabiliteti e paqeje në rajon e më gjerë", tha znj. Topalli.
Duke e vënë theksin tek intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik dypalësh kryeparlamentarja tha se "Shqipëria mirëpret investime në infrastrukturë, energjitikë e turizëm".
"Rritja ekonomike e Shqipërisë, pavarësisht krizës globale, taksat më të ulta në Europë, burimet e mëdha, siguria e investimeve, lehtësimi i procedurave për biznesin, janë mundësi të mëdha për investime", ajo.
"Politikat ekonomike në Shqipëri në mbrojte të investimeve të huaja janë shumë të favorshme", theksuan deputetët sauditë, ndërsa shtuan se do të angazhohen konkretisht për rritjen e investimeve në Shqipëri.
Kryetarja e Kuvendit dhe përfaqësuesit e Palamentit të Arabisë Saudite ndanë mendimin se kjo vizitë jo vetëm do të ndikojë në nxitjen e marrëveshjeve konkrete mes dy vendeve, por do të pasohet nga shumë të tjera mes deputetëve, por dhe personaliteteve të larta të dy vendeve. /a.s//n.m/