English

Përmbledhje - Gjermani - Një Votim Rajonal Ndëshkon Koalicionin E Merkelit Dhe E Vështirëson Punën E Saj Në Berlin

BERLIN, 10 maj /ATSH-AFP/ - Tetë muaj pas suksesit në zgjedhjet legjislative, koalicioni i kancelares Angela Merkel pësoi dje, në kuadrin e ndihmës së polemizuar për Greqinë, një disfatë elektorale historike që e nxjerr atë në minorancë në Dhomën e Lartë të Parlamentit gjeman dhe do ta vërë në vështirësi punën e saj. Aleanca e Bashkimit Kristiandemokrat, CDU të kancelares dhe liberalëve, FDP, që qeverisin së bashku në Berlin, humbi shumicën në Renaninë Veriore-Vestfali, landi më i populluar i Gjermanisë. Përveç një mosmiratimi të koalicionit në pushtet në Berlin, ky rezultat tregon se Merkel nuk mund të ketë më një shumicë në Bundesrat, që përfaqëson 16 lande, gjë që do ta detyrojë atë të kërkojë kompromise me opozitën socialdemokrate, SPD. "Kjo është një ditë e mirë për Gjermaninë sepse të gjitha sondazhet tregojnë se njerëzit deshën t'i thonin stop politikës së qeverisë", shprehu kënaqësinë Sigmar Gabriel, kryetar i SPD-së. Megjithatë, me 34,5 për qind, sipas rezultateve zyrtare të publikuara sot në orën 00:20 GMT, SPD-ja arrin rezultatin më të ulët në landin Renania Veriore-Vestfali që prej 50 vjetëve. CDU-ja regjistroi rezultatin e saj më të dobët në këtë land gjatë gjithë historisë së Republikës Federale, prej 34,6 për qind. Kreu i qeverisë së deritanishme rajonale, Jürgen Rüttgers (CDU), u shpreh për një "mbrëmje të hidhur", duke e shpjeguar disfatën e tij "me hapat e para të qeverisë në Berlin dhe me situatën e vështirë në Greqi". FDP-ja, fituesja e madhe e zgjedhjeve të shtatorit me rezultatin historik prej 14,6 për qind të votave, mori një shuplakë, duke siguruar vetëm 6,7 për qind të votave. "Nuk duhet të vimë rrotull, ne dështuam, nuk e arritëm objektivin tonë. Ky është një paralajmërim për partitë në qeveri", deklaroi zëvendëskancelari dhe ministër i Jashtëm Guido Westerwelle, kryetar i FDP-së. Të Gjelbërit shfaqen si fituesit e mëdhenj me 12,1 për qind të votave dhe partia e majtë radikale Die Linke hyri në parlamentin rajonal 5,6 për qind të votave. Pra, CDU-së dhe SPD-së do t'u duhet të negociojnë për aleanca me parti të vogla për të qeverisur, madje të bashkohen me një "koalicion të madh". Bisedimet mund të vazhdojnë disa ditë, madje disa javë. Meqë konservatorët dhe liberalët kanë humbur shumicën në Bundesrat, kantieret e mëdha të premtuara gjatë fushatës së vitit 2009, ulja e taksave dhe sidomos reforma e shëndetësisë, rrezikojnë të mbeten në pritje të paktën deri në zgjedhjet e reja rajonale në vitin 2011. Kriza greke ka ndikuar shumë në përfundimin e votimit, dy ditë pas zhbllokimit të kredive gjermane prej më tepër se 22 miliardë euro gjatë tre vjetëve, për të cilat shumica e gjermanëve janë kundër. "Njerëzit ishin në situatë shumë të paqartë ekonomike, sidomos javët e fundit dhe asgjë nuk u bë për t'i qetësuar ata", analizoi Barbara Riedmüller, pedagoge e Shkencave Politike në Universitetin e Berlinit. Por, shtypi theksoi gjithashtu mungesën e qartësisë së koalicionit të Angela Merkel. "Përkrahja e idesë së një koalicini me të Gjelbërit në nivel kombëtar, për të ndaluar në çastin e fundit: aleanca me FDP-në, ulja e TVSH-së në hoteleri, për t'i shpalllur papritur luftë +kapitalit të madh', pjesëmarrja në çështje të mëdha si një ndihmë evropiane për Greqinë, për të kapitulluar në fund dhimbshëm, e gjitha kjo nuk i solli asnjë të mirë CDU-së", përmbledh e përditshmja konservatore "Die Welt" në një editorial të publikuar sot. Sipas të përditshmes së majtë "Tageszeitung" "ky rezultat është fillimi i fundit' të koalicionit. FDP-ja, me prioritetet e saj për uljen e taksave dhe ideologjinë e pandryshuar antietatike, nuk përputhet me kohën". Landi Renania Veriore-Vestfali, ku ndodhen ndër të tjera qytete si Këlni, Boni, Dyseldorfi, si dhe krahina e vjetër industriale Ruhr, ka 18 milionë banorë, nga të cilët 13,5 milionsë ishin thirrur të votonin, ose një e pesta e eletoratit gjerman. /I.Pu.
KOMENTE