English

Policia: Operacioni "Concord" Ndalon 8 Shtetas Per "Mashtrim Kompjuterik"

TIRANE, 10 Maj/ATSH, Mira Shkurta/ - Strukturat e Sektorit Kundër Krimit Ekonomik finalizuan me sukses sot një tjetër operacion, të koduar "Concord" duke ndaluar 8 shtetas në Tiranë, të dyshuar për veprën penale "mashtrim kompjuterik". Burime nga Policia e Shtetit bejne te ditur se "u ndaluan me masën e sigurise "Arrest me burg" per vepren penale "mashtrim kompjuterik": Zenel Buchala, 39 vjec, Ken Kormani, 45 vjec, Arjan Troka, 38 vjec, Ilir Arapi, 45 vjec, Erjon Jaupllari, 22 vjec, Etleva Minxhozi, 44 vjec, Elizabeta Bengasi, 26 vjec, Flora Nikaj, 33 vjec, të gjithë banues në Tiranë". Sipas Policisë, këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjerin, për më shumë se një vit kanë kryer veprime me karta bankare, që dyshohen të jenë të vjedhuara apo te klonuara. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se këto karta bankare, janë përdorur në sisteme kompjuterike për të prerë bileta udhëtimi të linjave ajrore në sistemin "Online". "Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjerin, kanë kryer shpërndarjen e biletave të udhëtimit, të prera në agjensitë e udhëtimit kryesisht në Tiranë, por dhe në qytete të tjera. Këto bileta udhëtimi ishin prerë nëpërmjet sistemit "online" dhe me karta bankare, që dyshohen si të vjedhura apo të klonuara", thanë burimet e Policisë së Tiranës. Gjatë punës 6-mujore për finalizimin me sukses të operacionit "Concord" nga strukturat seksionit të Krimit Ekonomik Financiar në Drejtorinë e Policisë së Tiranë dhe Njësisë së Taks Force pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, janë kryer veprime hetimore në të gjithë territorin ku këta shtetas realizonin veprimtarine e tyre. Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan shuma prej 5000 euro, 18 kompjutera desktop dhe laptop, që shërbenin për perdorimin e sistemit "online", një sasi e konsiderueshme kartash telefoni prej 50 numra, 20 aparate celulare, 2 mjete transporti. Për veprimtarinë e kryer prej këtyre shtetasve janë marrë mbi 100 kallzime nga kompani fluturimesh, që kanë pësuar dëme të konsiderueshme në qindra mijëra euro, për shkak të prerjes së biletave të udhëtimit me karta bankare të dyshuara të vjedhuara, apo të klonuara. Policia thekson se kapja e këtij grupi të struktuar kriminal është ndër goditjet më të mira të organizuara për këtë tendencë, me synim parandalimin dhe goditjen e një fenomeni të kundraligjshëm. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme./n.m/
KOMENTE