Tiranë, 10 maj, NOA - Partia Socialiste nuk do të tërhiqet nga greva e urisë dhe nga kërkesat e saj për mazhorancën. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u shpreh sot, pas vizitës që bëri te grevistët e shtruar në spital, se opozita do të rezistojë pavarësisht gjithë problemeve që kanë.
“Opozita sot është shpirti i të vërtetës dhe i revoltës së këtij kalbëzimi të përditshëm të proceseve të qeverisjes. Ne do rezistojmë duke duruar çdo dhimbje, shpife dhe sasi balte”, u shpreh Rama.
Ai ka theksuar se rezistenca e Partisë Socialiste ka si qëllim që ti kthejë vendit “një liri që funksionon”.
Duke u ndalur në mundësitë e zgjidhjes së krizës, Rama u shpreh se mënyra sesi po reagon mazhoranca nuk e ndihmon aspak çështjen. “Cinizmi fashist me të cilin po përballemi me këtë protestë dhe grevë madhështore nuk ndihmon në zgjidhjen racionale e të arësyshme të një krize që ka përgjegjës ata që janë në pushtet, të cilët duhet tu japin llogari shqiptarëve”, tha Rama.
Ai u shpreh se qeveria duhet tu jap përgjigje dhe pyetjeve që kanë të bëjnë me mungesën e liberalizimit të vizave.
m.xh/NOA