English

Shpallen çmimet e fituesve të Festivalit “Shqipëria është Kulturë”

Tiranë, 10 Maj 2010 NOA – Vetëm pak minuta më parë janë shpallur fituesit e Festivalit “Shqipëria është Kulturë 2010”, një eveniment i organizuar nga Universiteti Evropian i Turizmit, me mbështetjen e disa ministrive dhe mediave mes të cilave Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.

Çmimi i madh u fitua nga Projekti “Nënë Tereza”, realizuar nga Florian Salla, Erjet Muçollari, Rojsil Vrapi, Lindar Muçaj dhe Ermir Bilani

Sipas drejtorit artistik të këtij aktiviteti, Agron Xoxa, ky projekt është në të vërtetë shumë larg çmimit prej 500 mijë lekësh, qoftë edhe për simbolikën që mbart figura botërore humaniste e Nënë Terezës, që do transmetojë edhe në rrugëtimin e fituesve në BE.

Djemtë u shprehën mjaft të kënaqur me çmimin që rrëmbyen, ndërsa thanë se në këtë krijim të tyre ndërthuret shumë bukur një figurë e njohur botërore si Nënë Tereza, me turizmin në vendin tonë, duke qenë se portreti i saj është realizuar pikërisht nga një numër i pafundmë fotosh të shkrepura anë e mbanë vendit.

Të pyetur për idenë, 5 djemtë që studiojnë për Grafikë në vitin e Katërt në Akademinë e Arteve, pohuan se ideja dhe koncepti i veprës së tyre ishte krejt origjinal.

Foto të tjera, te Galeria

Më poshtë vijon lista e plotë e fituesve:

ÇMIMI I MADH

PROJEKTI “NËNË TEREZA”, realizuar nga Florian Salla, Erjet Muçollari, Rojsil Vrapi, Lindar Muçaj dhe Ermir Bilani

KËRCIM MODERN

Vendi i Parë- Grupi Alen

Vendi i dytë- Grupi ST Stars

Vendi i tretë- Lorina Grup

Çmim Special- Grupi Siluet

BALET SOLO MODERN

Besmir Sula

Eris Tafili

Evadiola Tafa

Çmim Special - Blerina Muçaj

VALLE TRADICIONALE

Vashat Shkodrane

Visaret e Krrabës

Valle Çame- Grupi Adrion

Çmime Speciale

Vajzat e Zhejës

Vajzat e Semanit

Apolloni i Ri

KËNGËTARË

Maria Prifti

Anisa Dervina; Seda Çano

Eduardo Kondakçi; Stefan Marena; Besa Breca

GRUPE ROCK

Laura

The Sismic

Vladislav

The Storm

Black Rose

Bon Bon Band

AKTRIM MONOLOG

Liridona Gashi dhe Aida Shkëmbi

Marsel Rupi

Nestor Furrxhi

PANTOMIMET

Rafael Hoxha

Grupi Harmoni

KRIJIMTARI

Esmeralda Sokoli

Fatos Shuli

Daniela Pepa; Flurdina Shima

Çmime Speciale: Fiona Ismaili; Xheniona Aliaj

AKTRIM POEZI

Flavia Myrtaj

Rexhina Leka

Grisela Gjokaj

INSTRUMENTISTËT

Fabian Çesma

Oketa Belegu; Sonja Alisinani

Albania Bras Kuintet; Kuarteti Art Tirana

PIKTURË DHE SKULPTURË

Esmeralda Baha

Gejsi Tafa

Endri Doçe; Xhuli Lika

Çmimet Mirënjohjeje Pikturë-Skulpturë

Evis Kabllo

Florian Zyko

Ervis Skalija

Marigles Memajdini

Albi Yzo

Flora Vreshtazi

Grupi i Shkodrës

VEPRA ARTIZANALE

Emiljano Peçi

Anita Myftaraj; Keldi Dimo

Luzherta Buzi

KONSTELACIONE/ VIDEO/ FOTO/ KLIP

Brilanta Kadillari

Erilda Seldaj; Desarta Kalluci

Orsiola Mema

Çmim Special në këtë kategori

Ambri Pelingu

Alban Volaj

Besara Sheqeri

Kristia Dhima

Lexoni gjithashtu një reportazh special nga Apolonia:

Me pjesëmarrjen e finalistëve dhe këngëtarëve Eli Fara, Poni, Anjeza Shahini, Aleksandër Gjoka, Redon Makashi, Pirro Çako

Apolloni – Fier 9-10 Maj 2010/ Milena Selimi - Rruga nacionale Tiranë-Fier prej mëse një muaji është bërë pritëse e banderolave ku shkruhet “Shqipëria është Kulturë”. Ndoshta që këtu nis rrugën një aktivitet, i cili në mënyrë të natyrshme bëhet udhëtari i rëndësishëm i një komunikimi kulturor, i pari i këtij lloji në Shqipëri. Stacioni i dytë i mikpritjes merr emrin e qytetit të Fierit, i njohur për një ‘bujtëse’ mikpritëse të aktiviteteve kulturore dhe artistike jo vetëm në qark, por edhe të atyre me përmasa ndërkombëtare.

Familjet fierake kanë pritur të rinj dhe të reja nga qytetet e ndryshme të Shqipërisë, të cilët do të jenë spektatorët dhe ‘gjykuesit’ e fituesve, nëpërmjet sistemit të sms-ve. Ekzistenca e një ngjarjeje kulturore ndihet që në hyrje të qytetit, tek organizatorët e aktivitetit “Shqipëria është Kulturë”, EUFT-ja, MTKRS-ja dhe Bashkia e Fierit, të cilët janë kujdesur për detajet dhe njëherësh për të patur një impakt të gjerë me publikun.

Apolonia është skena e vjetër antike, që ndërlidh në mënyrë harmonike të sotmen dhe të shkuarën, traditën dhe kontemporanen.

Rruga që të çon në qytetin e lashtë është e mbushur nga dhjetëra të rinj dhe të reja, qytetarë dhe dashamirës të artit dhe kulturës. Autobusë non stop, vënë në dispozicion nga Bashkia e Fierit, qëndrojnë në gatishmëri për të përballuar fluksin e spektatorëve që do të jenë pjesëmarrësit kryesorë të spektaklit të fundit të aktivitetit “Shqipëria është Kulturë”. Jo rastësisht kultura nis që nga komunikimi, informimi dhe vajzat dhe djemtë e rinj, që me banderola në duar shpërndajnë fletëpalosjet e shkruara “Të kujdesemi për trashëgiminë kulturore të Parkut të Apollonisë”.

Shoqërohemi në udhëtimin tonë drejt Parkut të Apolonisë nga Rektori i UEFT-së, z. Salvatore Messina, ideja dhe energjia e të cilit ka qenë një nga shtyllat kryesore që ky aktivitet gjithëpërfshirës të meritojë këtë natë magjike të datës 9 maj, ku do të vazhdojnë garën e tyre të rinjtë finalistë në gjinitë: Aktrim, Muzikë, Instrument, Kërcim, Pikturë, Fotografi. Nga 1365 kandidatët e përzgjedhur, juria e kryesuar nga drejtori Agron Xoxa ka arritur që të seleksionojë rreth 376 prej tyre, që të gjithë talente nga rrethet Lezhë, Korçë, Tiranë, Elbasan, etj.

Por përse ky festival ka zgjedhur Parkun e Apollonisë për të shpalosur aftësitë dhe talentet e të rinjve? Përse kjo nismë gjen mbështetje nga MTKRS-ja dhe Bashkia e Fierit?

Kryetari i Bashkisë, z. Baftjar Zeqaj shprehet se “Ne kemi vite që duam ta evidentojmë Fierin si qytet të rëndësishëm të turizmit. Në pamje të parë duket sikur Fieri s’ka lidhje me turizmin, por strategjia e zhvillimit të qytetit dhe puna që kemi bërë gjatë këtyre viteve ka evidentuar si prioritet kryesor për këtë qark turizmin. Duhet kuptuar që Fieri është qendra më e rëndësishme dhe më e pasur për nga vlerat arkeologjike dhe historike, është qendra që rrethohet nga Bylisi, Ardenica dhe Apolonia”.

E kupton këtë magji dhe këtë promovim vetëm kur gjendesh në ambientet e Odeonit të Apollonisë, aty ku muzika, përgatitjet e fillimit, instrumentistët dhe kërcimtarët janë në emocionet e skenës që do t’i mirëpresë.

Ora 20.00, hap siparin e spektaklit, ku finalistët e festivalit do të jenë në startin e fundit. Në qiellin e yjeve të natës së majit, në një skenografi fantastike, protagonistët e vërtetë janë ata, Ambasadorët e Kulturës Shqiptare, të rinjtë dhe të rejat që besojnë në kohën e ndryshimit, që besojnë në vlerat dhe traditën e Shqipërisë.

Një moment emocionant sjell në skenë të riun nga Kosova, Arbër Hoxha, i cili prek të pranishmit me një rrëfim të trishtë të jetës së tij. Dikur një interpretues i valles popullore, ai ka pësuar një aksident me makinë, në rrugëtimin e tij nga Kosova në Tiranë për të dhuruar gjak, në shenjë të solidaritetit me vëllezërit e tij të tragjedisë së Gërdecit. Drejtori i festivalit, Agron Xoxa, e përshëndet për pjesëmarrjen duke e konsideruar një nga rastet kur jeta është e rëndësishme dhe ka shpresë, edhe pse ka ndaluar për të riun nga Kosova, ngujuar në një karrocë me rrota.

Pas këtij moment emocionues, në fjalët e tij që sjellin shpresën dhe dëshirën për jetë, spektakli ‘ndizet’ nga muzika dhe efektet e skenës ku performojnë këngëtaret: Anjeza Shahini, Eli Fara, Poni, Redon Makashi, Pirro Çako,Aleksandër Gjoka, Kejsi Tola. “Dikur unë isha si ju, në një ëndërr që quhej muzikë, këngë dhe skenë. Sot jam njëra prej përfaqësuesve të brezit tim, që mund ta quaj një ëndërr të realizuar. Uroj më të mirën për garuesit e këtij festivali”, - do të shprehej pak përpara interpretimit të saj, Kejsi Tola.

Juria me përfaqësues ndër të tjerë, poetin e këngëve Agim Doçin dhe rektorin e Universitetit Europian të Turizmit, Prof. Dr. Salvatore Mesina, pohuan pjesëmarrjen e lartë të të rinjve jo vetëm nga Shqipëria,por edhe nga trojet. Fituesit kryesorë, në mënyrë simbolike, do të emërtohen "Ambasadorët e Kulturës Bashkëkohore Shqiptare". Iniciativa që gërsheton bashkëkohoren me antiken dhe vendos në qendër të kësaj vere turizmin kulturor i përket Universitetit Europian për Turizmin në bashkëpunim me rrjetin e Ministrive MKTRS, të Arsimit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, së toku me prefekturën dhe bashkinë e Fierit dhe festivalin ndërkombëtar të Apollonisë.

Pastaj skena është e gjitha për konkurruesit finalistët që janë në emocionet e fundit të konkurrimit. Instrumentistët nga Lezha, Fieri, Tirana sjellin këngë të Beatles dhe shkallët e Odeonit mbushen me ovacione dhe duartrokitje. Pastaj është radha e këngëtarëve fitues në finale e madhe, kërcimtarëve dhe interpretuesve të fjalës.

Një pjesëmarrje e jashtëzakonshme e publikut, ku organizatorët theksojnë një pjesëmarrje të rreth 10 mijë spektatorëve në datat 6-9 maj 2010 dhe ku Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA ishte sponsore mediatike e evenimentit.

m.s/r.n/NOA

KOMENTE