Bruksel, 10 Maj 2010 NOA – “PSE mbështet negociatat për kryerjen e reformës elektorale për të siguruar zgjedhje të ndershme dhe transparente në të ardhmen”. Kjo është deklarata zyrtare që vjen nga Partia Socialiste Evropiane (PSE) e cila i lëshon një thirrje të fortë autoriteteve më të larta shtetërore në Shqipëri që të ndërhyjnë në mënyrë të menjëhershme për të nisur ata, dialogun me opozitën që të ndalet kriza politike, protestat dhe greva e urisë. Kjo deklaratë shihet si një zgjidhje që propozohet nga e majta evropiane për politikantë shqiptarë që të mos kthejnë kokën pas por të shohin nga e ardhmja, ose më shkoqur, t’i jepet fund pretendimeve mbi zgjedhjet e mëparshme të 28 qershorit dhe të punohet për reformën zgjedhore.
Brian Synnott, këshilltar për mediat në PSE, në një komunikatë që dërgoi për agjencinë NOA, fillimisht nënvizon faktin se mbi 200 persona, mbështetës të Partisë Socialiste të Shqipërisë, përfshirë 22 deputetë janë ngujuar që nga 1 maji 2010 në grevë urie.
PSE nënvizon faktin se të ngujuarit kërkojnë nga qeveria, transparencë për zgjedhjet qershorit 2009 për dyshimet e tyre mbi parregullsi.
PSE evidenton edhe se PSSH ka refuzuar të hyjë në Parlament deri në shkurt të këtij viti.
Nga ana tjetër, PSE thekson se mbi 100 mijë njerëz, kanë ndjekur liderin socialist Edi Rama, në demonstrata paqësore në Tiranë.
Sekretari i Përgjithshëm i PSE, Philip Cordery ka deklaruar sot se është e rëndësishme një zgjidhje për këtë krizë politike e cila është rënduar së tepërmi.
Cordery ka shprehur edhe shqetësimin e tij për rëndimin e shëndetit të grevistëve.
Ndaj vlerëson se është i nevojshëm një dialog konstruktiv mes protestuesve dhe qeverisë.
Vetëm duke punuar së bashku mund të gjejnë zgjidhje problemet me të cilat përballet sot Shqipëria, thekson z. Philip Cordery.
Në këtë pikë ai i bën thirrje presidentit Bamir Topi dhe kryeministrit Sali Berisha që të marrin iniciativën për marrjen fund të krizës.
“PSE mbështet negociatat për kryerjen e reformës elektorale për të siguruar zgjedhje të ndershme dhe transparente në të ardhmen”, - përfundon deklarata e nënshkruar nga z. Cordery.
r.n/NOA
English version Subsribers Only