Sport-Intervistë/ Albi Sorra, "Dëshiroj Të Përfaqësoj Shqipërinë Në Evropianin E Boksit"
TIRANË, 10 Maj /ATSH-Gjergji Mima/. - Boksieri shqiptar Albi Sorra, i cili studion dhe stërvitet në qytetin e Vorozhinit në Rusi, në një intervistë për ATSH-në, ka shprehur dëshirën e tij për të marrë pjesë në kampionatin Evropian të Boksit, që do të zhvillohet në Shën Peterburg të Rusisë, më 4 qershor.
Megjithëse 20 vjeçar, Albi Sorra është pjesëmarrës i rregullt në aktivitetet ndërkombëtare të sportit të boksit, ku përfaqësohet Shqipëria dhe shpreson se edhe në këtë kampionat evropian do të jetë njëri nga përfaqësuesit e kombëtares shqiptare.
Për momentin, thotë boksieri 20 vjeçar, "po vijoj me stërvitjen në qytetin e Vorozhinit, ku jam përzgjedhur për të marrë pjesë si përfaqësues i qyteti në kampionatin e Rusisë, por ende nuk kam marrë konfimimin për këtë gjë pasi nuk kam nënshtetësi ruse".
Ndërkohë, thotë boksieri 3 herë kampion i Shqipërisë, "po përgatitem për kampionatin evropian që zhvillohet në Shën Peterburg të Rusisë, dhe po pres një ftesë nga Federata Shqiptare e Boksit, pasi do të kisha dëshirë të përfaqësoja vendin tim në këtë aktivitet mjaft të rëndësishëm të boksit evropian".
Boksieri Sorra tregon se është në formë optimale, kjo falë edhe stërvitjes që po zhvillon në Vorozhin me trajnerë rusë dhe mendon se mund të arrijë një rezultat pozitiv në peshën 69 kg.
Albi Sorra ishte flamurmbajtësi i delegacionit shqiptar në Lojrat Mesdhetare "Peskara 2009" të zhvilluara në qershorin e kaluar në Itali, si dhe është një nga sportistët shqiptarë më premtues në sportin e boksit.
Ndërkohë Federata Shqiptare e Boksit ende nuk ka bërë të ditur numrin dhe emrat e boksierëve që do të marrin pjesë në këtë Kampionat Evropian, por boksieri Albi Sorra mendohet të jetë njëri prej tyre./s.s./