Intervistë me Prof. Dr. Savatore Messina: Të rinjtë e sotëm janë energjia e së nesërmes
Tiranë, 10 Maj 2010 NOA/Milena Selimi -
Përse keni zgjedhur këtë festival për të promovuar identitetin dhe vlerat e turizmit shqiptar?
Të rinjtë e sotëm do të jenë drejtuesit e të nesërmes. Ata janë juristët, ekonomistët, shkrimtarët, artistët dhe ministrat e ardhshëm. Prandaj e quaj të rëndësishme këtë kujtesë kulturore që merr energji në këtë vend të trashëgimisë shqiptare. Ky është identiteti i tyre i së ardhmes.
Ka qenë e vështirë për ju të organizoni dhe të koordinoni këtë festival të këtyre përmasave?
Si çdo nismë e parë, besoj se kërkon shumë vullnet, dashuri dhe përpjekje. Gjej rastin të falënderoj rrjetin e bashkëpunëtorëve tanë që nga MTKRS-ja, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Jashtme, Qarku i Fierit, të cilët e mbështetën dhe besuan tek kjo nismë e EUFT-së. Pastaj edhe sponsorët që dhanë ndihmesën e tyre.
Unë besoj se Universiteti nuk duhet të ekzistojë vetëm si një vend ku studiohet dhe mësohet, por edhe si vend ku lidhet pazgjidhshmërisht teoria me praktikën.
Ne si universitet kemi për detyrë të bëjmë të rriten kompetencat në fushën e turizmit në këtë vend dhe jo vetëm në këtë vend, pra më gjerë, duke patur parasysh se ne jemi një Universitet Europian i Turizmit.
Detyra jonë mbetet të ndërhyjmë pozitivisht në bashkimin e vlerave turistike të Shqipërisë dhe promovimin e tyre në hapësirat europiane. Nëse do të shpjegoja më thjesht, do të shprehesha se Shqipëria është e mbushur me shumë shishe, të cilat duhet të prezantohen në formë koktejli turistëve të huaj dhe mundësisht atë që ai dëshiron.
Kam vënë re se këtu mungojnë bar-menët, ata që mund të bashkojnë prodhimin në nivel turistik me merkaton që do ta kërkonte.
Ne përpiqemi të japim një përgjigje, duke ndërhyrë në politikat e turizmit dhe duke gjetur një zgjidhje, që është promovimi i vlerave turistike nëpërmjet promovimit të talenteve të reja.
Jeni shprehur se ky festival do të ketë një vazhdimësi. Si do të jetë ecuria e tij?
Çdo vit në të njëjtën datë, 9 maj, çdo vit me këtë kartë, që është energjia dhe dinamika pozitive e rinisë shqiptare. Unë besoj në këtë promovim. Ky festival nuk ka asnjë ngjyrë italiane, dua që kjo të jetë e qartë për të gjithë.
Ne jemi një universitet europian dhe bashkëpunimet tona janë me shumë simotra tonat në Francë, Gjermani, Itali, Finlandë, Norvegji, etj. Ky festival ishte i mirë, ka patur një impakt në publik, por natyrisht që në një edicion të dytë do të ketë më shumë pjesëmarrës protagonistë, të ftuar nga shkollat Europiane.
Kur do të realizohet turi i finalistëve në Bruksel?
Kemi specifikuar datën e fillimit të sezonit të ri universitar, nëntor-dhjetor 2010 dhe shkurt-mars 2011, ku fituesit do të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me kulturat europiane. Janë disa praktika që kushtëzohen nga Ministria e Jashtme dhe Ministria e Turizmit.
Çfarë keni mësuar nga ky festival, nga ky kontakt i drejtpërdrejtë me rininë shqiptare?
Kam mësuar kush është forca dhe vullneti i të rinjve shqiptarë, kush është aftësia dhe identiteti që ata kanë, kush është dëshira e tyre për t’u zhvilluar, kush janë aftësitë e tyre për të mbërritur në qëllimin që ata i kanë vënë vetes, edhe duke u përplasur dhe duke sfiduar vështirësitë.
FUND