Tiranë: Policia Dhe Drejtoria Arsimore, Program Sensibilizues Për Edukimin E Nxënësve Mbi Rreziqet E Droges
TIRANË, 10 Maj/ATSH-M.Shkurta/ - Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore rajonale nisi sot zbatimin e një Programi sensibilizues për edukimin e nxënësve lidhur me rreziqet që vijnë nga droga dhe substanca të tjera të rrezikshme.
Ky program pilot, i cili realizohet për herë të parë është hartuar në bashkëpunim me Gardën Kombëtare të New Jersey-it, (SHBA), Programit ICITAP, Policisë së Tiranës dhe Drejtorisë Arsimore.
Temat e përfshira në program, kanë të bëjnë me Luftën Kundër Duhanit, Alkolit, Mariuanës etj, program i cili do të zhvillohet me klasat e 5-ta dhe të 6-ta të shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit.
Për zbatimin e programit janë ngritur 10 grupe instruktorësh me përfaqësues nga stafi pedakogjik arsimor dhe punonjës të Policisë së Tiranës. Sot temat u mbajtën në shkollat 9-vjeçare "Vasil Shanto" dhe "Kongresi i Manastirit", për të vijuar nesër në shkollat "Ramazan Jarani", "Bajram Curri" dhe "Skënder Çaçi".
Ky program është projektuar afatgjatë dhe do të përfshihet në kurrikulat e planit mësimor të shkollave 9 - vjecare të Tiranës për vitin akademik 2010 - 2011./n.m/