English

Topi Dekoron Sabri Hamitin Me Urdhërin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu"

TIRANË, 10 Maj/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot me Urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" z. Sabri Hamiti, me motivacionin: "Për kontributin e pazëvendësueshëm në mendimin modern shqiptar në studimet albanologjike, si dhe për rolin e luajtur në përballimin e sfidave historike me të cilat u ndesh populli shqiptar në fund të shekullit XX". Sipas njoftimit zyrtar nga Presidenca, para dorëzimit të Urdhërit të lartë, Presidenti Topi shprehu kënaqësinë që ky vlerësim për studjuesin e njohur bëhet kur për më shumë se dy vjet Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur, që konsolidohet çdo vit. "Në të gjitha takimet me partnerët e rëndësishëm ndërkombëtarë krenohem për arritjet e jashtëzakonshme që ka bërë Kosova dhe institucionet e saj gjatë këtyre dy viteve, në projektimin e një shteti shumetnik, të një shteti që, ndonëse është i ri, ka vlera shumë të vjetra historike të kulturës, të identitetit dhe ku në gjithë këto vlera ju, z. Hamiti keni firmën tuaj dhe do të vazhdoni ta lini atë edhe në të ardhmen", u shpreh Kreu i shtetit. Më tej, duke vlerësuar kontributin e veçantë në botën e letrave dhe në botën e mendimit filozofik të Sabri Hamitit Presidenti Topi e cilësoi atë një figurë autentike, për të cilën i gjithë populli shqiptar, pavarësisht se ku jeton e punon, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi, krenohet me të. Nga ana e tij studjuesi Hamiti, duke vlerësuar Urdhërin e lartë të akorduar nga Kreu i shtetit tha se "shenja e Skënderbeut na kujton jo Heroin Kombëtar, por diçka më shumë, referencën evropiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve". "Barleti, vijoi ai, e bëri Skënderbeun Hero Kulturor evropian, jo vetëm shqiptar. Unë mendoj se tani këto dy emra, këto dy figura reference të kulturës sonë kombëtare, Gjergj Kastrioti dhe Barleti, e kanë krijuar përgjithmonë paradigmën e njeriut, e Heroit Kulturor Shqiptar. Kjo është provuar empirikisht dhe historikisht më vonë, sepse figurat e mëdha të kulturës sonë, faktikisht deri më sot, kanë mbetur brenda kësaj paradigme. Nga Barleti, te Buzuku, Bogdani, De Rada, Naimi, te Fishta e Konica për të mbërritur tek më të vonshmit si Kadare e Rugova". Sabri Hamiti është një nga figurat e spikatura të letrave dhe politikës në Kosovë, me një kontribut të rëndësishëm në fushën studimore. Ai u diplomua "shkëlqyeshëm" në vitin 1972 në Universitetin e Prishtinës, në degën gjuhë dhe letërsi shqipe. Studimet pasuniversitare i kreu në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ndërsa në vitin 1980 merr diplomën e Shkallës së Lartë për letërsi e qytetërim frëng në Universitetin e Sorbonës, në Paris. Në vitin 1989 Sabri Hamiti përfshihet në lëvizjen për Pavarësinë e Kosovës, të udhëhequr nga Ibrahim Rugova. Më vonë, për pesë herë me radhë në vitet 1992, 1998, 2001, 2004 dhe 2007 zgjidhet deputet në Kuvendin e Kosovës, ndërsa nga viti 2006 është anëtar i Kryesisë së Kuvendit. Në vitin 1993 zgjidhet profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, si dhe ligjërues në studimet postdiplomike të letërsisë. Nga viti 2008 është anëtar i rregullt i Akademisë të Shkencave e Arteve të Kosovës. /a.s/f.n/
KOMENTE