Tiranë, 10 Maj, NOA – Dënimi i krimeve të komunizmit është i domosdoshëm për emancipimin e shoqërisë dhe vendosjen e drejtësisë në vend.
Kjo është deklarata që ka bërë sot Presidenti i Republikës, Bamir Topi në ditën Ndërkombëtare të Drejtësisë, gjatë një aktiviteti të zhvilluar me Shoqatën e ish të Përndjekurve Politikë. Në ceremoni kanë qenë të pranishëm politikanë, të afër të viktimave të komunizmit, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik në vend.
Kreu i shtetit theksoi se një nga krimet më të shëmtuara të diktaturës ka qenë dënimi dhe ekzekutimi i elitës politike dhe intelektualëve.
Në përfundim të ceremonisë, Presidenti dekoroi poetët e pushkatuar Havzi Nela, Vilson Blloshmin dhe Genc Leka, si dhe intelektualin e njohur të pushkatuar nga regjimi komunist Myzafer Pipa.
m.xh/NOA