Topi: Palët Duhet Të Tregojnë Vullnet Për Zgjidhjen E Krizës Politike Në Vend
TIRANË, 10 Maj/ ATSH-Suada Daci/. - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shprehu sot gatishmërinë të thërrasë tryezën e bisedimeve në përpjekje për të zgjidhur situatën politike në vend, duke theksuar se "mazhoranca dhe opozita duhet të tregojnë vullnet per zgjidhjen e saj".
Në një prononcim për mediat, pas një takimi me ish- të përndjekurit politikë në Muzeun Historik Kombëtar, Presidenti Topi tha se "nuk ka ende një dialog institucional që ka të bëjë me situatën politike në vend".
"Unë jam në përpjekje të vazhdueshme, ashtu sikurse edhe faktorë të tjerë institucionalë dhe ndërkombëtarë, me synimin për daljen nga kjo situatë e pakëndshme", theksoi ai.
Ai bëri të ditur se Presidenti ka dëshirë të rivendoset dialogu, por nuk ka asnjë instrument ligjor që të detyrojë palët. "Kur flitet për dialog duhet që edhe maxhoranca edhe opozita të ulen në tryezën e bisedimeve", tha Kreu i Shtetit.
Sipas tij, "tryeza mund të organizohet vetëm me synimin final daljen nga kjo situatë, pasi një dështim i saj do ta bënte edhe më të pakuptimtë gjendjen"./s.s./