English

Topi, Takim Me Juristë Dhe Gjyqtarë Në Ditën Kombëtare Të Drejtësisë

TIRANË, 10 Maj/ATSH/ - Presidenti Bamir Topi apeloi sot, në Ditën Kombëtare të Drejtësisë për gjithë juristët dhe gjyqtarët që, "pavarësisht bindjeve politike, duhet të dinë të ndahen nga politika në ushtrimin e profesionit tuaj". Kjo, sipas tij, është shumë e rëndësishme. "Por, politika nuk mbetet e vetmja pikë referimi që mund të influencojë në vendimmarrjet tuaja, sepse sot ka edhe një pushtet tjetër, që është pushteti financiar. Duhet të dini, pa marrë leksione, sepse ju jeni vetë profesionistë dhe secili është koshient për ushtrimin e profesionit të tij dhe për të cilën unë kam besim absolut tek secili prej jush, duhet të dini të ndani në mënyrë të qartë pozicionin autonom që duhet të ketë pushteti i drejtësisë", iu drejtua Presidenti Topi juristëve. Me cilësinë e Kryetarit të Shtetit dhe të Kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ai falenderoi juristët dhe gjyqtarët për kontributin e tyre të vazhdueshën në reformimin dhe përmirësimin e drejtësisë shqiptare. Zyra e shtypit e Presidencës njoftoi se kjo pritje u organizua në kuadër të Ditës Kombëtare të Drejtësisë në përkujtim të datës kur akti i parë ligjor shqiptar u dekretua nga qeveria e Ismail Qemalit më 1913. Në pritje ishin të pranishëm personalitete të shquar të drejtësisë shqiptare dhe të misioneve të huaja ligjore, që asistojnë sistemin tonë të drejtësisë. Referuar kësaj date historike, Presidenti Topi tha se "e përkujtojmë këtë ditë historike jo vetëm si një moment të historisë, por edhe si një vendim politik edhe juridik, i cili konsiderohet si një pikë shumë e rëndësishme referimi për të gjithë historinë se si ka funksionuar sistemi i drejtësisë në Shqipëri në gjithë këto vite". Sistemi i drejtësisë në Shqipëri, sipas Kreut të Shtetit, në funksion të etapave, në funksion të kohës ka pasur progresin e tij, traumat e veta, por sot ka një moment shumë të rëndësishëm të shtetit ligjor të Republikës së Shqipërisë. "Jemi në një moment shumë të rëndësishëm në kontekstin politik dhe institucional, në një moment kur Shqipëria jo vetëm është anëtare e Aleancës më të madhe të paqes dhe të sigurisë, pra të NATO-s, por çdo ditë dhe më shumë bën progresin drejt familjes evropiane", shtoi Presidenti. Sipas tij, "në të gjithë këtë inkursion të gjatë të përpjekjeve madhore të institucioneve të Shqipërisë, institucionet e drejtësisë kanë rolin e vet të shquar". Çështja që lidhet me drejtësinë, tha Topi është mjaft komplekse. "Është çështje që çdo ditë e më shumë vjen në vëmendjen e politikës, vjen në vëmendjen e analistëve, vjen në vëmendjen e opinionit publik, por unë do ta quaja patjetër një çështje të natyrshme të etapës ku është Shqipëria sot, ku të gjithë kërkojnë rritje të profilit, performancës të sistemit të drejtësisë, të gjithë kërkojnë drejtësi", nënvizoi Topi. Kjo, sipas tij, "kërkohet në radhë të parë nga qytetarët shqiptarë, pavarësisht nga bindjet e tij, kërkohet nga institucionet që na monitorojnë, kërkohet nga të gjitha institucionet e Shqipërisë, të cilat e kanë pasur të domosdoshme që të jenë në një marrëdhënie funksionale midis tyre". Në këtë kontekt, Presidenti vlerësoi "përpjekjet e politikës, të cilat formalizohen në sallën e Parlamentit, si dhe që bëjnë përpjekje që legjislacioni në Shqipëri, edhe në funksion të institucioneve të drejtësisë të bëjë progres, të arrijë në standardet ku është drejtësia evropiane dhe ajo botërore, të marrë në konsideratë që sistemi i drejtësisë duhet ta fitojë pavarësinë nëpërmjet një legjislacioni model, të vendosë kushtet dhe parametra që gjyqtarët të futen në një linjë promovimi profesional, ku në bazë të parë të jetë jo vetëm profesionalizmi, por të jetë integriteti i çdo gjyqtari, i çdo prokurori". Presidenti Topi vuri në dukje se "ka patur një progres të pakontestueshëm edhe në klimën politike, edhe në vendimmarrjen parlamentare dhe në krijimin e legjislacionit të ri, sikurse ka edhe momente ku politika, institucionet duhet të bëjnë më shumë për të kompletuar legjislacionin, për ta bërë më të operueshëm sistemin e drejtësisë, më të ndërveprueshëm, ku përtej përgjegjësive, kompetencave duhet të jenë të ndara, por duhet të jenë dhe bashkëvepruese". Duke iu drejtuar juristëve, Kreu i Shtetit u kërkoi që "pavarësisht sfidave, nuk duhet të humbni lirinë e veprimit etik dhe profesional"./n.m/
KOMENTE