Ut, Marrëveshje Me Dy Universitete Në Gjenevë
TIRANË, 10 Maj / ATSH/ - Universiteti i Tiranës ka nënshkruar dy marrëveshje me Universitetin e Gjenevës dhe Universitetin e Websterit, duke shtuar kështu bashkëpunimet e tij ndërkombëtar në fushën akademike.
Marrëveshja me Universitetin e Gjenevës, e nënshkruar javën e kaluar nga rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule dhe rektori i Universitetit të Gjenevës, prof. dr. Zhan Dominik Vasali, gjatë një takimi zyrtar të zhvilluar në Zvicër, parashikon mobilitetin e stafit akademik dhe studentëve të fakulteteve të Ekonomisë, Mjekësisë dhe të Drejtësisë, duke u dhënë prioritet studentëve që studiojnë për doktoraturë.
Marrëveshja parashikon veç të tjerash, shkëmbimin e stafit akademik mes dy universiteteve, si edhe asistencën e profesorëve të Universitetit të Gjenevës për programet e doktoraturës në tre fakultetet përkatëse.
Marrëveshja u arrit në sajë të mbështetjes dhe organizimit të Albanian International Scholarship Foundation, e cila drejtohet nga Asllan Gjifnoci, i cili ka mundësuar gjatë 20 viteteve shkollimin e shumë studentëve shqiptarë në Universitetin e Gjenevës.
Universiteti i Gjenevës është një ndër universitetet më të vjetra në Evropë, i themeluar në vitin 1559. Sot, ai është një ndër universitetet më të njohura të kontinentit dhe prej tij kanë dalë figura mjaft të njohura të poliitkës, artit, kulturës, jetës akademike dhe shoqërore evropiane.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, gjatë vizitës së tij në Gjenevë, nënshkroi edhe një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Websterit(SHBA), që ka si bazë krijimin e një masteri të ri ekzekutiv, Master në Administrim Biznesi (MBA) që do të jetë i përbashkët ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Websterit.
Ky program pritet që të hapet brenda vitit të ardhshëm akademik.
Pedagogët do të jenë të përbashkët, ndërkaq diploma që do të lëshohet do të jetë e dyfishtë si nga Universiteti i Tiranës dhe nga Universiteti i Websterit.
Universiteti i Websterit është një ndër universitetet më të mëdha me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me mbi 100 kampuse në mbarë botën, prej Gjenevës, në Tajlandë dhe Australi./e.gj/s.s./