English

Zhvillohet konferenca ndërkombëtare për turizmin në Shqipëri

“Turizmi i qëndrueshëm dhe zhvillimi lokal: Burimet, strategjitë dhe politikat e Shqipërisë si pjesë e Bashkimit Evropian”

Tiranë, 10 MAJ 2010 NOA – Aktiviteti “Shqipëria është Kulturë”, i cili u zhvillua për katër ditë dhe katër net me radhë në mjediset e parkut Arkeologjik “Apolonia” është vlerësuar sot me nota të larta pozitive nga autoritetet e ministrisë së Kulturës, ato vendore të Qarkut të Fierit si dhe drejtuesit e universiteteve kryesore të vendit tonë.

Duke përfituar nga rasti, në kuadrin e zhvillimit prej Universitetit Europian të Turizmit të konferencës ndërkombëtare me titullin “Turizmi i qëndrueshëm dhe zhvillimi lokal: Burimet, strategjitë dhe politikat e Shqipërisë si pjesë e Bashkimit Evropian”, pjesëmarrësit e saj e kanë vlerësuar iniciativën e lartpërmendur si një risi në vendin tonë, e cila ka promovuar më së miri faktorin edukativ të universitetit me atë social, mbi të gjitha duke i dhënë zë turizmit kulturor në vendin tonë.

Konferenca u zhvillua në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar duke vazhduar për disa orë me radhë ku të ftuarit mbajtën disa referate lidhur me zhvillimin e turizmit dhe politikave të turizmit për Shqipërinë, si pjesë e Evropës.

Nga ana e tij, organizatori i këtij evenimenti, Salvatore Messina, rektor i EUFT-së, bëri me dije se ”të rinjtë që u zgjodhën si fitues të aktivitetit Shqipëria është Kulturë, janë ambasadorët e kulturës shqiptare dhe do të jenë pjesë e një turneu evropian, si pjesë e një plani që ne kemi për të promovuar turizmin natyror dhe atë kulturor në Shqipëri”.

Më tej, shtoi se “Universiteti Evropian i Turizmit kërkon nga ana tjetër, njohjen e traditave dhe kulturës së tjetrit”.

Ndërsa rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, do të shprehej se “EUFT, përveç formatit edukativ dhe mësimor, përmban edhe formatin social, i cili ndërthuret me dy të tjerët dhe kjo është për t’u vlerësuar”.

Ndërkaq, konferenca e lartpërmendur mori në konsideratë edhe problematikat aktuale të turizmit shqiptar aktual, duke kërkuar alternativat për t’u transformuar në një turizëm të qëndrueshëm. Në kuadrin e këtij koncepti, përfaqësuesi i ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Klodian Pajuni, bëri me dijeni gjatë fjalës së tij, se “ministria e Turizmit është duke ndryshuar ligjin ekzistues të turizmit, i cili përmban disa mangësi”.

Ai përmendi në kuadrin e kësaj, atë të regjistrimit të subjekteve turistike pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe jo ministrisë së Turizmit.

“Kjo bën që ministria të mos ketë informacion të drejtë për numrin e tyre, kushtet që përmbushin e prandaj ligji duhet ndryshuar”, tha ai, duke u lënë vendin folësve të tjerë, për të vënë në dukje problematika të tjera për arritjen e një turizmi të qëndrueshëm dhe një zhvillimi lokal, tani që Shqipëria synon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

r.n/NOA

KOMENTE