"Zjarri", Romani 'Shqiptar' I Amerikanes Katherinë Neville
TIRANË, 10 Maj/ ATSH/- Romani "Zjarri" i shkrimtares amerikane Katherine Neville, përkthyer nga Margarita Skënderi, botuar kohët e fundit nga Shtëpia Botuese "Dudaj", ka tërhequr vëmendjen e lexuesve shqiptarë, pasi në morinë e shumë personazheve spikasin edhe figura nga historia shqiptare si, Ali Pashë Tepelena, e bija, Haideja, por edhe poeti i shquar anglez, Lord Bajroni, që njihet si mik i shqiptarëve, dhe sidomos i pashait të Janinës.
Njëzet vjet më parë, romani debutues i Katherine Neville, "I teti", e befasoi lexuesit dhe përcaktoi etapën letrare të epokës së trillerit epik. Në kërkim të një kompleti mistik shahu, që dikur kishte qenë pronë e Karlit të Madh, ngjarjet e romanit "I teti" shtrihen në dy shekuj dhe në tri kontinente, duke ndërthurur intriga të vjetra dhe moderne, kërkime arkeologjike thesaresh, gjëegjëza të fshehta dhe enigma të mbushura me të dhëna të kodifikuara nga e shkuara e lashtë.
Kështu, aventura elektrizuese botërore vijon me romanin "Zjarri", që autorja e kishte parashikuar prej kohësh. Romani ndërtohet mbi dy linja tregimi, që nis në Kolorado, në vitin viti 2003, ku Aleksandra Solarinin e thërrasin për ditëlindjen e së ëmës, në shtëpinë e të parëve të saj, në një vend të thellë e të izoluar në Malin Shkëmbor.
Tridhjetë vjet më parë, prindërit e saj, Ket Velisi dhe Aleksandër Solarini, besonin se i kishin shpërndarë gurët e Takëmit të shahut Montglejn në të gjithë botën, duke varrosur bashkë me ta edhe sekretet e fuqisë që vinte nga zotërimi i atyre gurëve. Por papritur, Aleksandra kupton se e ëma është zhdukur dhe një sërë të dhënash të vendosura në mënyrë strategjike, të pasuara menjëherë nga mbërritja e papritur e një grupi mysafirësh misteriozë, tregojnë se po ndodh diçka ogurzezë.
Kur rastësisht, nga tezja e saj, mjeshtre shahu, Lili Rad, zbulon se guri më i fuqishëm ka dalë papritmas në skenë dhe loja është hapur sërish, Aleksandra përfshihet në një udhëtim që e shpie nga Koloradoja drejt zonave të largëta ruse dhe, më në fund, në zemër të qytetit të saj të lindjes, Uashington D.C.
Linja tjetër zbret në Shqipërinë e vitit 1822. Ali Pashë Tepelena, që e kishte zemëruar sulltanin e Perandorisë Turke, gjendej tashmë në prag të një sulmi nga ushtria perandorake. Kështu që ai dërgon të vetmin person ku mund të mbështetej, të bijën e tij të re, Haidenë, në një mision të rrezikshëm për ta nxjerrë fshehurazi jashtë Shqipërisë një relikte të vjetër, përmes maleve dhe detit, për ta çuar në duart e një njeriu që mund të ishte në gjendje ta ruante.
Udhëtimi i Haidesë nga Shqipëria në Marok, Romë, Greqi dhe në zemër të vetë Lojës, lidhet me zbulime që kanë të bëjnë me kompletin e fuqishëm të shahut dhe historinë e tij, që do ta çojë të paktën në vendin ku ai ishte krijuar më shumë se një mijë vjet më parë, në Bagdad.
Libri është i mbushur me aventura dhe ngjarje misterioze, shprehet përkthyesja Margarita Skënderi, e cila njihet edhe si përkthyese e librave "Pas dyerve të mbyllura', të Jenny Tomlin, "Komploti i Berlinit", i Tom Gabbay, "Balzaku dhe rrobaqepësja e vogël kineze", të Dai Sijie, etj,. Skënderi thotë se "shkrimtarja Neville në librin 'Zjarri' ka futur burime të shumta informacioni nga mitet e lashta, gojëdhënat, historia, arkeologjia, nga kultura e qytetërimit të lashtë e më të vonë, por edhe interpretime të ndryshme nën një dritë të re".
Sipas saj, "është një univers i tërë dijesh, që përkthyesi nuk mund ta përballojë pa shfletuar qindra e qindra faqe, për ta sjellë në mënyrë sa më korrekte atë që ka dashur të thotë K. Neville, e cila gjithçka e ndërton si në një lojë shahu, ku një veprim i hap rrugën një tjetri".
Ky roman provon edhe një herë se Katerine Neville është një mjeshtre e vërtetë e shtjellimit të intrigës ndërkombëtare dhe misterit historik.
Katherine Neville është autore e librave "Sekreti i mijëvjeçarit", i përkthyer në 30 gjuhë, "Rrethi magjik" dhe "Rrezik i llogaritur". Në një sondazh kombëtar në Spanjë, organizuar nga gazeta e njohur "El Pais", romani "Sekreti i mijëvjeçarit" u votua si ndër dhjetë librat më të mirë të të gjitha kohërave. Neville jeton në Virxhinia dhe Uashington D.C./s.d//s.s./