English

Zvicra, 4.8 Milion Franga Për Arsimin Profesional Dhe Integrimin E Fëmijëve Romë

TIRANË, 10 Maj /ATSH/.-Qeveria zvicerane do të kontribuojë me 4.8 milionë franga zvicerane në mbështetje të reformimit të arsimit dhe formimit profesional dhe përfshirjes sociale të komunitetit Rom përmes arsimit në Shqipëri. Ambasadorja e Konfederatës Zvicerane në Shqipëri, Yvana Enzler, firmosi sot dy marrëveshje me Ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj dhe Ministrin e Punës, Spiro Ksera, mbi mbështetjen e Arsimit dhe Formimit Profesional Shqiptar AlbVET si dhe përfshirjen sociale të popullsisë Rome në Shqipëri. "2.6 milionë franga zvicerane do të shërbejnë për fazën e dytë të projektit AlbVET në mbështetje të reformimit të arsimit profesional, i cili ofron trajnime në fusha që i korrespondojnë kërkesave të tregut të punës", Ambasadorja tha Enzler, duke shtuar se pjesa tjetër e fondit, 2.2 milionë franga do të shpenzohet për fazën e gjashtë të projektit Arsim alternativ dhe Trajnim Profesional (CEFA) për përfshirjen e komunitetit Rom. Duke e cilësuar të frytshëm bashkëpunimin me Shqipërinë, Ambasadorja Enzeler tha se faza aktuale e AlbVET bazohet në arritjet pozitive të projekteve të mëparëshme i një sërë shkollave të mesme profesionale. Ajo u shpreh se "kurset afatshkurta të orientuara drejt punësimit, në bashkëpunim me ofruesit privat të trajnimit, patën një efekt të mirë punësimi për 30 mijë pjesëmarrës". "Pala zvicerane është një nga kontribuesit kryesorë në fushën e arsimit profesional", vlerësoi ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, duke shtuar se nënshkrimi i marrëveshjeve e thellon më tej këtë bashkëpunim. Ai tha se "sëshpejti do të publikojmë një program tjetër për zhvillimin e teknologjisë së informacionit për arsimin e mesëm profesional, ku Zvicra ofron sërish mbështetje". Sipas Tafajt, projekti për romët është në përputhje me strategjinë e MASH për "Braktisjen zero" në arsim, ku fëmijët romë zënë një vend të veçantë. Aktualisht 59% e fëmijëve romë janë në shkolla, por përmes këtij programi, tha Tafaj, do të vijojë rritja e numrit të fëmijëve romë në shkolla". "Përfshirja sociale e fëmijëve romë përmbush planin e veprimit të "Dekadës së Romëve". Ky projekt është i rëndësishëm, pasi do të përmbushim aktet e fundit për procesin e liberalizimit të vizave", tha Ministri i Punës, Spiro Ksera, duke siguruar palën zvicerane se "bashkëpunimi për realizimin e këtyre projekteve do të jetë i nivelit më të lartë". Konfederata e Zvicrës ka investuar më shumë se 20 milionë franga zvicerane për arsimin profesional dhe mbi 4 milionë franga në projketin CEFA./e.gj/s.s./
KOMENTE