Tiranë, 11 maj, NOA - Shqipëria është një vend i vogël, por mundësitë dhe potencialet e saj janë të mëdha dhe Arabia Saudite mund të investojë në fusha që janë prioritare për investitorët e huaj si energjetika, turizmi dhe pasuritë e mëdha minerare të nëntokës shqiptare.
Një fakt të tillë, kryeministri Berisha ia ka bërë sot me dije gjatë një takimi një grupi parlamentar të Arabisë Saudite, i kryesuar nga dr. Mohamad Bin Sa'ad Alsalem.
Nga ana e tij, Alsalem i përcolli kryeministri Berisha përshëndetjet e mbretit saudit Abdullah bin Aziz Al Saud, si dhe theksoi edhe një herë angazhimin për bashkëpunim e mëtejshëm mes të dy vendeve si dhe lobimin e vazhdueshëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet e tjera.
Në lidhje me çështjen e pavarësisë së Kosovës, përfaqësuesi kosovar theksoi se “është e drejta e një populli të kërkojë liri”.
Ndërsa kryeministri Berisha tha se njohja e pavarësisë së Kosovës është një kontribut i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Në fund, në funksion të lehtësirave të të bërit biznes në Shqipëri, kryeministri Berisha njohu miqtë sauditë edhe me barrën e ulët fiskale, regjistrimin e bizneseve dhe pagesën e taksave on-line, renditjen e Shqipërisë si e dyta në botë në listën për prokurimet elektronike, apo renditjen e Shqipërisë si e 14-ta në listën e vendeve në mbrojtjen e investimeve të huaja.
n.e/NOA