English

Bllokohen akset kryesore në vend, protestuesit mbështesin grevën e PS-së

Durrës, 11 maj, NOA - Autostrada Tiranë-Durrës, Tepelenë-Gjirokastër dhe ajo e Fier-Lushnjë janë bllokuar gjatë orëve të mesditës nga mbështetës të grevës së urisë të Partisë Socialiste, të cilët kanë protestuar duke arritur deri në konfrontime me forcat policore.

Të udhëhequr nga deputetë socialistë, protestuesit e rretheve kanë bllokuar këto akse të rëndësishme rrugore, duke bërë presion për plotësimin sa më parë të kushteve që kërkojnë grevistët e ngujuar në Tiranë, poshtë godinës së Kryeministrisë, prej 12 ditësh në grevë urie pa ndalim.

Konkretisht, autostrada Tiranë-Durrës në hyrje të qytetit bregdetar gjendet e bllokuar nga simpatizantë të Partisë Socialiste në Durrës, të cilët janë konfliktuar me forcat policore të Tiranës pasi janë përpjekur të bllokojnë rrugën pranë Urës së Peshkatarit.

Ndërkaq, bëhet me dijeni se protesta po zhvillohen edhe në hyrje të qytetit të Vlorës, ku mbështetësit e selisë rozë prihen nga deputeti Fatmir Toçi.

Nga ana tjetër, protestuesit socialistë që kanë bllokuar edhe aksin jugor të vendit, Tepelenë-Gjirokastër, kanë në krye të tyre, deputetët Et’hem Ruka dhe Arta Dade.

E bllokuar rezulton të jetë ndërkaq, edhe autostrada Fier-Lushnjë, pranë fshatit të Kolonjës, ku të pranishëm në grevë janë deputetët Bashkim Fino dhe Arben Çuko.

n.e/NOA

KOMENTE