Tiranë, 11 maj, NOA – “Ne jemi këtu për ta çliruar këtë vend nga frika dhe të gjitha ato fije të dukshme dhe të padukshme që kanë lidhur duart e shqiptarëve dhe mbajnë peng mendjen e tyre”.
Këto kanë qenë disa nga fjalët e përzgjedhura të fjalimit të sotëm të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, mbajtur në mitingun e radhës së opozitës para godinës së Kryeministrisë.
“Shqipëria bëhet dhe ne do ta bëjnë të gjithë së bashku. E ju rikujtoj se ne nuk i jemi larguar dhe as e kemi refuzuar asnjëherë dialogun”, ka pohuar më tej Edi Rama.
Ndërsa duke iu referuar bllokimit të sotëm të rrugëve nga protestuesit socialistë, si një manifestim simbolik i tyre për solidaritetin me grevë, ai i bëri apel Policisë së Shtetit të mos provokojë protestuesit.
"Kjo nuk është një protestë kundër shtetit por kundër pushtetit që ka marrë peng liritë dhe të drejtat e shqiptarëve, që ka mban peng kutitë ku është fshehur arma që vrau zgjedhjet e shkuara dhe po përpiqet të vrasë edhe zgjedhjet e ardhshme", theksoi Rama.
Rama gjithashtu duke i cilësuar protestat në rrethe si një rezistencë paqësore dhe një lëvizje europiane theksoi se këto protesta kërkojnë t’i hapin Shqipërisë rrugën e zhvillimit me bindjen se zhvillimi buron nga liria e garantuar.
n.e/NOA