Tiranë, 11 Maj, NOA - “Përhumbje diku...” është titulli i ekspozitës së dyte vetjake pas kthimit në atdhe të piktorit Lian Lutfija.
Në harkun kohor të një viti, artisti shqiptar që vjen nga Stambolli, sjell rreth 20 punime të reja në pikturë, të cilat i përkasin stilit impresionist. Ekspozita do të hapet në 12 maj, ora 18:00 në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Publikur do të mundet ta ndjekë këtë ekspozitë deri më datën 15 maj.
Vitin e kaluar ekspozita e parë e autorit në Tirane me titull “Fllad impresionist” u hap në mjediset e Ministrisë së Kulturës, duke tërhequr vëmendjen e qarqeve të larta artistike kryeqytetase dhe duke rrokur prej tyre vlerësime entuziaste për ‘këndvështrime të reja pasuruese’ që autori sjell në stilin impresionist.
“Më tërheq impresionizmi, ndjehem më afër tij, sepse mendoj që artistët e kësaj periudhe janë kuptuar më mirë. Sinqeriteti ka impresionuar veprat e tyre. Dhe në punimet e mia përpiqem të përdor sinqeritet, dritë, harmoni, reaksionet ngrohtë-ftohtë”, shprehet Lian Lutfija.
Ekspozita do të shoqërohet në hapje edhe me performancën e artistit në kitarë akustike.
Artisti 32- vjeçar Lian Lutfija ka 15 vjet karrierë jashtë vendit me 10 ekspozita vetjake, të hapura kryesisht në Stamboll dhe tepër i vlerësuar nga mediat turke.
Ai është lidhur me pikturën që në fëmijëri, në rrethet e pikturës në Pallatin e Pionierëve, apo në Pallatin e Kulturës në Tiranë. Nga viti 1992-1996 kryen Liceun Artistik ‘I.A.A. Guzel Sanatlar Lisesi’ në degën e pikturës në Stamboll. Në 1997 fiton konkursin në ‘USA Milëaukee Institute of Art & Design’, ku u mbështet edhe me bursë. Në vitin 1997 – 2004 kryen Universitetin e Arteve ‘Arkitekt Sinani’, dega pikturë po në Stamboll, ku kualifikohet ‘I Pari’. Më pas karrierën e tij e ka zhvilluar kryesisht në Stamboll me ekspozita vetjake dhe kolektive, ku një prej të cilave është edhe pjesëmarrja në Bienalen e Stambollit.
“Me kthimin tim në atdhe, dua t’u bëj thirrje artistëve të rinj me sloganin: Që të jesh krenaria e një kombi, duhet në fillim t’i shërbesh atij”- u shpreh Liani një vit më parë.
m.s/NOA