Elbasan: Nje I Ri Nga Vlora Vret Gjimnazisten E Me Pas, Edhe Veten
ELBASAN, 11 Maj /ATSH-Miranda Sadiku/ - Një i ri 19-vjeçar nga Vlora vrau sot në mëngjes me armë zjarri të tipit pistoletë një nxënëse në shkollën e mesme "Mahir Domi" në qytetin e Elbasanit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 09.20 të mëngjesit, kur 19- vjeçari Endrit Llambraj hyri në shkollën e mesme " Mahir Domi" e më pas në klasën e vajzës.
Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur për ATSH se "autori i krimit hyri në klasë dhe qëlloi në drejtim të Gerta Baja, nxënëse në vitin e katërt".
Mësohet se më pas ai u largua nga vendngjarja bashkë me armën në dorë dhe u nis drejt unazës së qytetit të Elbasanit.
Policia që u ndodh menjëherë në vendin e ngjarjes, ndoqi të riun, i cili jo vetëm që nuk ju përgjigj thirrjes për dorëzim, por dhe qëlloi në drejtim të policëve. Në vendin e quajtur " Belebe" shumë pranë varrezave publike të qytetit të Elbasanit, 19- vjeçari Llambraj qëlloi mbi veten.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e kësaj vrasjeje jo të zakontë./n.m/