Fier, 11 Maj 2010 NOA – Një grabitje me maska e cila ka precipituar në përleshje të rrezikshme mes viktimës së ngjarjes dhe autorëve, ka ndodhur në qytetin e Fierit, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Gjithçka ka ndodhur në orën 03.30 të mëngjesit në lagjen “Liri Gego” të qytetit Fier, në parkingun e makinave në pronësi të A.N., banor i Fierit.
Burimet hetimore i thanë agjencisë NOA se të paktën dy persona, të maskuar dhe të armatosur, kanë shkuar në parkingun e A.N., me një synim, të kryenin plaçkitje.Por plani nuk u ka ecur shumë sepse janë përballur me forcën fizike të pronarit të parkingut i cili ka bërë rezistencë kur i ka zbuluar.
Në përleshje e sipër ka plasur dhuna, por gjithsesi, pronari i parkingut ka arritur të bllokojë një prej maskave dhe e ka izoluar atë deri në ardhjen e policisë të cilën e ka njoftuar me celular.
Ndërkohë, autori tjetër i maskuar i grabitjes që mbeti në tentativë, ka arritur të shkëputet dhe të zhduket në drejtim të paditur, gjithsesi, duke lënë në baltë shokun e tij të bastisjes me maska.
Me të mbërritur, policia ka identifikuar si autor të grabitjes së dhunshme, 23-vjeçarin Zaimir Rexhaj, banues në Patos te rrethit Fier, i padënuar më parë, duke i veshur atij menjëherë, akuzën per veprën penale “Vjedhje me dhune e mbetur ne tentative, e kryer ne bashkëpunim”.
Edhe pse është marrë në pyetje, i riu Rexhaj nuk e ka “shitur” kolegun që e la në baltë por ka refuzuar të tregojë kush ishte ai, ndaj policia thotë se ende i dyshuari i dytë mbetet i paidentifikuar.
Nga veprimet e para hetimore shtetasit Zaimir Rexhaj, iu gjet dhe u sekuestrua ne cilësinë e provës materiale nje kapuç i zi, një aparat celular si dhe gjate kontrollit te banesës jane gjetur dhe sekuestruar 2 kasetofonë dhe 11 bokse audio të vjedhura nëpër makina të parkuara.
e.b/r.n/NOA